BE bllokon marrëveshjen, Aegean-Olympic
Komisioni Europian bëri të ditur bllokimin e marrëveshjes së propozuar, për shkrirjen e 2 kompanive greke të transportit ajror, duke argumentuar se një situatë e tillë do prodhonte monopol në tregun grek, me gjasa të shumta për të dëmtuar konkurrencën. Aktualisht të dy kompanitë, Egjeu dhe Olympic, kontrollojnë më shumë se 90% të transportit ajror në Greqi. Komisionari Europian për Konkurrencën, Joaquim Almunia, tha se marrëveshja për shkrirjen e 2 kompanive ka rritur shqetësimet se do të rezultojë me rritjen e tarifave të transportit dhe ulje të cilësisë së shërbimit. “Nuk na u dha asnjë shans tjetër, vetëm që ta ndalonim këtë marrëveshje. Kompania që do dilte nga marrëveshja do të kishte pothuajse monopolin e transportit ajror të Greqisë. Kjo do të rriste tarifat për 4 milionë pasagjerët qytetarë të Greqisë dhe të Bashkimit Europian dhe nëse nuk do të rriteshin tarifat do të reduktohej cilësia e shërbimit", tha Komisionari Almunia. Ai shtoi se kompanitë nuk kishin dhënë garanci të plota, për të shuar shqetësimet mbi konkurrencën. Duke komentuar ofertat e kompanive, Komisioni Europian citoi problemet kronike të aeroporteve greke, që eksportojnë problemet e tyre edhe në aeroportet e tjera të Bashkimit Europian. Refuzimi konsiderohet të jetë i pari që bën Komisioni Europian, në më shumë se 3 vite. Marrëveshja e fundit, e bllokuar nga komisioni europian, përfshiu gjithashtu transportin ajror. Në vitin 2007, kompania irlandeze low-cost, Ryanair u ndalua të blente kompaninë tjetër lokale, Aer Lingus, për shkak të shqetësimit për reduktim të ofertës dhe rritje të çmimit.