Protesta para Kryeministrisë, Berisha: Sot inaugurojmë platformën parlamentaro-qytetare

Nisi me pak minuta vonesë protesta e thirrur nga Opozita para kryeministrisë.
Fjalën hapëse e mbajti kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili e cilësoi si “ditën e parë të parlamentit për qytetarët”.
Sipas tij, pushteti i Ramës ka larguar më shumë shqiptarë se çdo pushtues.
“Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës, miqtë e mi, liria është si një lumë, të cilin në asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare; para pallatit, një krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, lubinë, që me vjedhjet, plaçkitjen e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.”, tha ndër të tjera Berisha.
Sipas tij, këto protesta të përjavshme do të shërbejnë si foltore “parlamentaro-qytetare”.