Protesta para OKB-së kundër planit të Ban Ki Mun

Sot në Nju Jork pranë selisë së OKB-së do të zhvillohet protestë e komunitetit shqiptar kundër planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate Ban Ki Mun. Protesta do të organizohet sot në mesditë nga organizatat dhe shoqatat e ndryshme të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA me moton kundër planit gjashtëpikësh të sekretarit të OKB-së, Ban Ki Mun për vendosjen e misionit evropian Euleks. Qëllimi i protestës është mbrojtja e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe çdo iniciative për negociata të reja për statusin e Kosovës. Protesta ka marrë mbështetjen e shumë organizatave shqiptare nga shtetet e ndryshme në SHBA, deklaroi një përfaqësues i këshillit për oganizimin e protestës. Protesta e fundit për Kosovën u mbajt më 10 dhjetor të vitit të kaluar para selisë së OKB-së, në ditën kur është prezantuar raporti final i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun për negociatat për statusin e Kosovës.