Zgjedhjet e ardhshme test për Maqedoninë

Përfaqësuesit e korit diplomatik në Maqedoni porositën liderët e partive politike që zgjedhjet e ardhshme për pushtetit lokal të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe demokratike. Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Philip T. Reeker dhe ai i BE-së, Erwan Fuere theksuan se vetëm zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike do ta kthejnë Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. "SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare ngushtë do të bashkëpunojnë me autoritetet e Maqedonisë që të sigurohen se zgjedhjet lokale në marsin e vitit të ardhshëm do të jenë pozitive", deklaroi Reeker. Ai tha se nuk duhet të përsëriten incidentet e zgjedhjeve të kaluara parlamentare dhe se zgjedhjet e vitit 2009 janë një mundësi e re për Maqedoninë. Po ashtu edhe diplomati i BE-së theksoi se zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal nuk duhet të ngjajnë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat pati shumë incidente. "Partitë politike duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike", theksoi Fuere.