Shkup,manifestime për 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit
Sot në Shkup hapet manifestimi me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, nën patronazhin e Qeverisë së Maqedonisë. Aktivitetet me rastin e kësaj feste fillojnë sot në Shkup me një tribunë shkencore për dallimet gjuhësore si dhe do të bëhet promovimi i Pullës Postare me logo të Kongresit të Manastirit. Këto aktivitete do të organizohen në hotelin "Stone Bridge" në Shkup. Nesër aktivitetet do të zhvendosen në qytetin e Manastirit, me ç'rast do të zhvillohet ceremonia kryesore e këtij përvjetori ku do të bëhet inaugurimi i Shtëpisë së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, si dhe si nikoqir i këtij aktiviteti kryeministri Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi. Në kuadër të aktiviteteve në Manastir, do të mbahet edhe një mbrëmje kulturore dhe artistike në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Të premten do të zhvillohet konferenca shkencore me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura akademike dhe shkencore shqiptare nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora, të cilët do të referojnë me tema shkencore për Kongresin e Alfabetit dhe gjuhën shqipe.
Në të njejtën ditë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë do të organizohet orë letrare Arbëreshe.