Protesta për t’u mohuar Europën shqiptarëve
Protesta dhe vetëm protesta - Sipas deputetit Taulant Balla, Partia Socialiste do të fillojë stinën e daljes në shesh, për të mbjellë dyshime për çdo gjë që nuk shkon, në fshat, në rrugë, në çdo qytet, në çdo lokal, në të gjithë Shqipërinë. Sezoni i korrjes së kapitalit politik të investuar me epidemi protestash a hyrjesh në kuvend për kinse transparencë është parashikuar me ligj në pranverën e vitit 2011, në zgjedhjet lokale, nëse maxhoranca nuk ka një kalendar të tjetër parakohshëm.
Gjithsesi PërBalla ka harruar të protestojë për ç’ka ndodh në opozitën e hutuar shqiptare, me LMN-në subversive, me Servet Pëllumbin dhe Rexhep Mejdanin kundër vijës së bojkotit, me nostalgjikë manjatë të liderit të shkuar Nano, etj. Mirëpo siç dihet “mbrojtja më e mirë është sulmi”, dhe fronti i sulmit është shtuar me kauza që ishin deri tani të martirizuar nga sajesa e hapjes së kutive të 28 qershorit. Abuzimi me kauzën e transparencës ka qëllimin e zhdukjes, futjen e levës së Arkimedit për të spostuar pushtetin nga duart e djathta në duart e majta, paçka se nuk vërehet se cilat janë duart e pastra nga ato të pistat.
Edi Rama që po fërkon duart plot pluhur betonarmeje dhe me një buzëqeshje hiene, pret aleancën e krizave, të asaj ekonomike dhe energjetike, për t’u shprehur se të gjithë fajin e kanë kutitë e mbyllura. Horoskopi edvinist parashikon paqshëm për të pritshmen politike të një aleancë të krizës së kutive dhe asaj ekonomike, por që s’ka gjasa të ndodhë, pasi janë gjëra krejt të kundërta. Prokuroria do të vendosë për komisionerët e Rruzhdies, kurse kriza ekonomike do të lehtësohet nga fillimi i sezonit të turizmit, ku me hapjen e Tunelit të Thirrës në fillim të majit, gjithçka do të avantazhojë ekonominë shqiptare. Shto këtu optimizmin që do të lindë kur BE do të vendosë heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët.
Mirëpo po luftohet edhe kundër integrimit të Shqipërisë. Këtë nuk e themi ne, por opozitarët e opozitës socialiste, LMN-ja, dy deputetë të së cilës i kanë kërkuar shpjegime kryesocialistit në detyrë, për arsyet e marrjes së një vendimi tejet absurd, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet për heqjen e vizave të qytetarëve të saj dhe njëherazi për marrjen e statusit kandidat, pas dorëzimit të pyetësorit, proces ky që finalizohet brenda vjeshtës së këtij viti. Madje më shkurt e pastër, është filipika e Blushit kundër Ramës: “Po kërkon protestat për të prishur vizat”.
Nihilizmi i paprinciptë i lidershipit soc-komunist ka arritur deri aty sa të mohohet
çdo vlerë, çdo sukses, arritje apo certifikim pozitiv i faktorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm, të cilat e shndërrojnë kauzën e Edvin Ramës në një mini-aparteid “negacionist”. Ndërkaq, kauza e opozitës soc-komuniste është kufizuar në përpjekje - njëkohësisht penguese dhe mohuese - të kauzës së kundërshtarit politik, që konsiderohet armik i popullit, si dikur njëherë në regjimin komunist.
Kuptohet vetiu se 30-ta e këtij prilli të thyer socialist dëftehet të jetë protesta e të pakënaqurve të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Assesi, mbetja pa pushtet po i shton etjen për t’u rikthyer në shtet, me kauza që lidhen me zhurmën e votimeve. Progresi i shënuar në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte aq i dukshëm për të gjithë, saqë e verboi Edi Ramëns. E verboi, sepse e drejta për të votuar pa asnjë presion, sanksion a tension, nuk u përdhunua më 28 qershor. Qytetarët ishin me të civilizuar sesa politika parazgjedhore dhe sidomos më e ndershme sesa opozita post-zgjedhore. Rezultati i ekuacionit zgjedhor prodhoi një pakënaqësi në orbitën e verbuar socialiste, aq sa ajo nuk e pranoi rezultatin në një kohë të parë, kurse në një kohë të dytë e pranoi, por kërkoi mbi bazën e një dyshimi formulën që do të bënte të mundur rizgjedhjen e Edi Ramës në krye të PS.
Prandaj këtu harrohet nëse PS nuk kishte humbur zgjedhjet nuk kishte përse të rizgjidhte një kryetar të ri, sipas nenit 28 të statutit të PS. Nejse, këto arsyetime logjike janë thënë e stërthënë, por radikalizimi i situatës politikë dhe emergjencat në veri-perëndim të vendit, kanë bërë një tabula-rasa të këtyre ngjarjeve.
...