E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe “gjarpri” i Teofrastit

Në Asamblenë më të fundit të socialistëve, mbledhur këto ditë, Edvin Rama ka injoruar plotësisht mendimin ndryshe në PS dhe ka shpërfillur hapur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ai i është imponuar një forumi të tillë për të vendosur frekuentimin e Parlamentit vetëm për mundësuar marrjen e rrogës mujore. Cinizëm dhe egoizëm politikë më të madh se ky nuk mund të ketë. Filozofët grekë të lashtësisë e kanë analizuar me shumë kompetencë këtë ves të poshtër të njeriut. Sokrati, dijetari i madh i Greqisë së lashtë, tek qëndronte para një dyqani të mbushur me rroba, tha: “Ou, sa shumë gjëra që nuk më duhen paska këtu!”. Qysh nga ajo kohë ai filloi të njihej si autor i “Dyqanit të cinikut”. Ndërsa Teofrasti, tek “Karakteret morale”, e konsideron intrigën si një ndër veset më helmonjëse në jetën e shoqërisë njerëzore. Prej këtej ka lindur edhe anektoda e njohur, sipas të cilës Tofrasti, duke biseduar me një mikun e tij, i thotë: “Kam parë një rast interesant. Një gjarpër kafshoi një intrigant dhe a e dini ç’ndodhi? Për çudi, në vend që të vdiste intriganti, ngordhi gjarpëri!”

Intrigantizmi është një fenomen mjaft i njohur në jetën e shoqërisë shqiptare të viteve të monizmit. Vetëm kush ka qënë viktimë e një intrige, shpifje apo thashethemi është në gjëndje të thotë se sa dëmprurëse janë ato. Për shumë vite, sidomos pas instalimit të regjimit komunist në Shqipëri, intriga ka qënë një “armë” e diktaturës së proletariatit, për t’u mbrojtur nga “armiqtë e jashtëm e të brendshëm”, duke bërë diferencimin klasor të njerëzve. Kësisoj intriga u kthye në një “profesion të dytë” për shumicën e njerëzve të besuar të Partisë së Punës, të cilët ishin rreshtuar në frontin e vigjilencës revolucionare të asaj kohe, për të forcuar “unitetin parti-popull”. Mijërat e të pushkaturave, të burgosurve, të internuarëve dhe shumë kategori të tjera viktimash të regjimit komunist, të dënuar për motive politike, kanë në bazë të formulimit të “akt-akuzës” ndaj tyre një intrigë apo një shpifje të caktuar. Një fjalë e thënë apo një veprim i kryer pa të keq, në atë kohë, nga njerëzit me “biografi të keqe”, u kushtonte jetën atyre. Por dëmet dhe fatkeqësitë që rrjedhin nga një intrigë kanë shtrirje në shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ngjarje të tilla janë bërë shkak për të çuar në dyertë e gjykatës dhjetëra çifte bashkëshortore, për të prishur shumë miqësi njerëzore, për të kryer vrasje e vetvrasje të ndryshme, etj., të cilat damkoseshin më pas me vulën e turpit moral dhe veprës së kryer nën ndikimin e “shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste”. Ndërkohë “parimorët” dhe “besnikët e Partisë”, ku ishin grupuar edhe autorët e vërtetë të këtyre veseve festonin, gëzonin dhe uronin njeri-tjetrin për “fitoren”…

Sot, shumica e intrigantëve apo spiunëve të monizmit janë anëtarësuar në Partinë Socialiste, dhe ashtu si “ujku që qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, edhe ata nuk e kanë harruar këtë zakon të vjetër të monizmit. Ati i tyre shpirtëror, Enver Hoxha ka qënë ideatori dhe profesori i intrigantizmit në Shqipëri, i cili nëpërmjet këtij vesi të shfrenuar çoi në gijotinë shumicën e “bashkëluftëtarëve dhe bashkëpuntorëve” të tij në Byronë Politike të KQPPSH-së. Ai, nëpërmjet organizatave e levave të Partisë, si dhe organeve të diktaturës së proletariatit, u mësoi shumë njerëzve, me dhe pa pushtet, se si ta ushtronin në formë piramidale këtë “profesion” shumë të ndyrë, duke u hequr, pastaj, si “engjëj” në publik. Ndonëse sistemi politik i tanishëm nuk i favorizon shumë veprime të tilla, përsëri këto fenomene ekzistojnë si mjete të luftës politike për pushtet të pandershëm të opozitës socialiste. Katapultimi që Edvin Rama u ka bërë disa prej pinjollëve të komunizmit në krye të Partisë Socialiste i ka rigjallëruar së tepërmi veprime të tilla, sepse siç thotë Shileri: “Fara e keqe, të keq e nxjerr edhe fidanin”. Dhe nëse fusha e veprimit të këtyre veseve enveriste është e ngushtuar disa në kohën e sotme, kjo nuk lidhet aspak me emancipimin politik të trashgimtarëve të punizmit, por me emancipimin demokratik në shoqërisë shqiptare në kushtet e lirive dhe të drejtave njerëzore. Faktet të shumëta tregojnë se, Partia Socialiste e Edvin Ramës e ka shndërruar intrigën në filozofi të krijimit të krizave kombëtare, për të dëmtuar dhe rrëzuar nga pushteti kjndërshtarin politik, pavarësisht se një veprim i tilla ka një kosto shumë të madhe për interesat e popullit dhe vendit tonë, në prag të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Aksioni politik i opozitës për “hapjen e kutive” të votimit është i ndërtuar fund e krye mbi bazën e intrigave dhe të pavërtetave, për të njollosuar zgjedhjet e 28 qershorit, standardet e të cilave i hapën rrugë integrimit të mëtejshëm dhe zhvillimit të shpejt ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë.

Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme ishte një kusht i fortë për qeverinë “Berisha”, në mënyrë që Brukseli të operonte me ritmin e duhur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe dhënien e statusit të vendit kantidat Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Dhe ky test u kalua me sukses, gjë e cila duket tek preokupimi zyrtar i Brukselit që procedurat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian të kryehen më shpejt se sa ishte premtuar e parashikuar në periudhën e fushatës zgjedhore. Madje kjo “ngutje” europiane për ta ofruar sa më shpejt Shqipërinë në shtëpinë e përbashkët të të gjithë kontinentit tonë, po ndodh edhe duke shpërfillur qëndrimin kundërshtues të opozitës ramiste apo serinë e protestave të tyre. Dikush mund të thotë se, opozita socialiste as nuk ka qënë dhe as nuk është kundër këtyre proceseve. Natyrisht, duke u bazuar tek fjalët që thonë, kështu duket, por me vepra ata dëshmojnë se ora e tyre, në mos ka mbetur në ’97-ën, punon me tik-takun e Enver Hoxhës, që i kundërvihej gjithë botës, duke i dhënë të drejtë vetes për gjithëçka të padrejtë që bënte. Edvin Rama, i cili shkon e falet çdo natë në Pezë po na del po aq besnik në praktikë i Enver Hoxhës sa dhe Babë Myslymi gjatë luftës dhe ndërtimit socialist të vendit. Ai mund të betohet natë e ditë se, kjo nuk është reale, por e vërteta është një fjalë e huaj për zhargonin e ligjërimit politik të Edi Ramës. Me veprimet e deritanishme, sidomos me ato pas zgjedhjeve të përgjithëshme të 28 qershorit, lideri socialist po dëshmon se është një cinik i regjur po aq sa demagog e gënjeshtar enverian i ditëve të sotme, sidomos për mënyrën se si u serviret qytetarëve. Për veten e vet ai është “pasha”, edhe duke qëndruar jashtë Europës, siç ishte Enver Hoxha në kohën e monizmit. Një krahasim i tillë, për dikë, mund të duket tendecioz, por ç’mund t’i thuash tjetër një lideri partie që ndërkombëtarët i thonë “shko në Parlament” ai del në rrugë dhe bërtet si i çmendur. A nuk është ky një veprim antiperëndimor? Gjithësesi Rama tenton të duket modern apo perëndimor në veshje, por preferencën e çitjaneve, duket se e ka fituar nga qëndrimi në Pezë dhe jo nga ai në Paris. Teksa nuk ka as veshjen dhe sjelljen perëndimore ai nuk mund të ketë shpirtin të tillë. Dhe po qe antiperendimor nuk mund të jesh kurrësesi proshqiptar, në një kohë që ëndërra e të gjithë qytetarëve të këtij vendi është integrimi në Bashkimin Europian dhe botën e qytetëruar. Sot mund të dalësh kundër Perëndimit vetëm duke mos qënë në rregull me shëndetin mendor. Probleme të tilla kishte Enver Hoxha në kohën e vet; këto probleme po shfaqen edhe në jetën politike të Edi Ramës sot. Kjo gjë është paralajmëruar herët, qysh kur Rama u morë nga rrugët e Parisit dhe u katapultua në krye të Ministrisë së Turizimit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Paralajmërimet që janë bërë në këtë drejtim kanë ardhur nga njerëz të cilët e kanë njohur nga afër Ramën, dhe që shpesh janë shndërruar në viktima të agresivitetit dhe skizofrenisë së tij. Gazetarë dhe opinionistë të cilët sot po kërkojë ngrohtësi tek “çitjanet” e Ramës, dje kanë qënë në ballë të denoncimeve dhe komentimeve të këtyre rasteve e veprimeve skandaloze me familjarët, miqtë dhe njerëzit e tij më të afërt. Të gjithë i kanë patur sytë e veshët hapur dhe këto gjëra i kanë ngulitur mirë në kokë, falë edhe kuriozitetit të shtuar që kanë shqiptarët për ngjarje e veprime të tilla. Sjelljet skandaloze të Ramës me babin, djalin, ish bashkëshorten, të dashurat e tij, etj., janë tashmë të njohura nga kushdo në Shqipëri, siç janë të njohura dhe fotot nudo në plazhet e Francës. Këto ishin të mjaftueshme që një njeriu të tillë të mos i besohej pushtet publik. Tashmë është shumë vonë për t’i bërë këto analiza, por gjithësesi qëllimi i tyre nuk është për të nxjerrë përgjegjësi, por për të nxjerrë mësime, ku në mënyrë të veçantë kjo kërkohet për ata që i shkojnë pas verbërisht Ramës. Dikush mund të thotë se ka një numër të konsiderueshëm mbështetësisht. Por e rëndësishme është të kuptohet mënyra antidemokratike e vënies së tyre në rresht, duke filluar me deputetët socialist e duke përfunduar tek socialistët më të thjeshtë, pa përmendur këtu merecenarët “leshko” jashtë PS-së. Padrejtësia e vendimeve dhe veprimeve të Ramës nuk matet me numrin e socialistëve shqiptarë që mund t’i shkojnë pas atij, po me gjithë botën që e kundërshton. Edhe Enver Hoxhës i shkonte gjithë populli pas, por ky më shumë se sa tregues i popullaritetit ishte tregues i perversitetit të tij diktatorial. Turmat nuk janë tregues kur ato mbushen me të mashtruar, të blerë apo të rekrutuar më forcë. Shqiptarët ua falën socialistëve qeverisjen e keqe të Fatos Nanos, për shkak se prapambetja integruese e asaj periudhe u morr përsipër dhe u tejkalua në mënyrë të shkëlqyer nga qeveria “Berisha”, por nuk kanë për t’ua falur kurrë opozitën antishqiptare të Edi Ramës, në një moment kur sytë dhe mendja e tyre është drejtuar nga Europa dhe bota e qytetëruar. Sondazhe e vlerësime të shumta të ndërkombëtarëve i kanë renditur shqiptarët si kombin më properëndimor në botë dhe këtu një rol të rëndësishëm ka geni i identitetit tonë europian, i cili kur nuk degjneroi nën pushtetin 50 vjeçar të Enver Hoxhës nuk mund të pësojë një mutacion të tillë nga opozita antiperëndimore e marrokut Edvin Rama.

Refuzimi që Edvin Rama i bën Prokurorisë së Përgjithëshme, Gjykatës Kushtetuese, Komisionit të Venecias apo çdo organi tjetër kompetent hetimi dhe gjykimi buron nga mendësia e tij enveriste për “gjyqe politike” mbi bazën e intrigave, shpifjeve dhe thashethemeve. Refuzimi dhe shpërfillja e shtetit ligjor në një sistem demokratik është anarki e pastër, që më shumë se sa nga moskuptimi i rregullave të lojës politike buron nga aplikimi i skemave të vjetra ideologjike. Synimi është vetëm krijimi i precedentit parimor për t’i krijuar Perëndimit bindjen se, “shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, sado të punojmë dhe investojmë ne, ndaj më shumë se favore dhe afrime duan kushte dhe kërcënime”. Dhe siç dihet një mënyrë e tillë trajtimit çon ujë në “mullirin” e Partisë Socialiste, duke i dhënë asaj “të drejtë” për padrejtësitë, mbi bazën e konkretizimit politik të intrigës. “Ka vese që futen brenda nesh në formën e virtyteve”, thoshte Seneka i riu për raste të tilla. Partia Socialiste e Edvin Ramës po kërkon t’i shndërrojë në vlera dhe virtyte, intrigat dhe shpifjet e tij për zgjedhjet e 28 qershorit, duke pretenduar në mënyrë demagogjike se, lufton për standardet demokratike të tyre, por problemi qëndron në faktin se nuk denjon të na bind në rrugë ligjore për problemet që ekzistojnë në këtë drejtim. “Urrej atë njeri, si portat e Aidit, që tjetër mban në shpirt, e tjetër flet me gojë”, do thoshte Homeri i famshëm, në përpjekje për ta vlerësuar realisht intrigën e Edvin Ramës për manipulimin e zgjedhjeve dhe verifikimin e këtij manipulimi nëpërmjet hapjes së kutive, që kreu socialist mendon se i shërben mbylljes së kufijeve. Por është tërësisht i dështuar dhe dështimin e ka të shkruar në ballë…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›