Protesta të reja masive në Egjipt
Me gjithë lëshimet e tjera të presidentit Hosni Mubarak, protesta në Egjipt vazhdon të marrë përmasa më të mëdha. Në Kajro dhe në qytete të tjera më shumë se 200 mijë vetë dolën sërish nëpër rrugë, për të kërkuar dorëheqjen e kreut të shtetit, i cili qeveris prej 30 vjetësh në mënyrë autoritare.
Mubaraku mblodhi një komitet, i cili gjatë javëve të ardhshme do të rishikojë kushtetutën egjiptiane.
Zëvendëspresidenti, Omar Suleiman, tha se aktualisht po hartohet një plan kohor për ndryshimin e pushtetit në mënyrë paqësore.
Edhe nga ana e kreut ushtarak u tha se transformimi duhet të kryhet në mënyrë të rregullt. Mubaraku vazhdon ta refuzojë dorëheqjen e menjëhershme.
Me thirrjen e komitetit kushtetues, presidenti i dobësuar përmbush një kërkesë tjetër të opozitës.
Si lëshim tjetër Mubaraku krijoi një komision për hetimin e dhunës kundër demonstruesve.
Në anë tjetër, SHBA ka shtuar trysninë ndaj Mubarakut, që ai të largohet nga posti në të ardhmen e afërt.
Gjatë një bisede telefonike, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i tha homologut të tij egjiptian, Omar Suleiman, që të hiqej ligji i gjendjes së jashtëzakonshme dhe të ndalej rrahja e protestuesve dhe gazetarëve.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha se Suleiman kishte bërë komente që nuk e ndihmojnë gjendjen, duke thënë se Egjipti nuk ishte gati për demokraci.