E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reeker: Maqedonia para sfidave të mëdha

Nga Express më 09 shkurt 2011 në ora 12:35

Ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker ka shprehur shqetësimin e tij dhe shtetit amerikan për mosfunksionimin e dialogut politik në Maqedoni.

Ai në një takim me redaktorët e medieve deklaroi se qëndron pas fjalëve të tij të deklaruar ditë më parë se dialogu politik, sistemi i jurisprudencës dhe mediat ballafaqohen me shumë probleme, të cilat sipas tij, kërkojnë një zgjidhje institucionale.

“Maqedonia ballafaqohet me shumë sfida, sikur ato ekonomike, anëtarësimi në strukturat euroatlantike, çështja e emrit kushtetues, mungesa e dialogut politik, mediat, etj. Maqedonia si shtet i pavarur tashmë 20 vite ka institucionet e veta të cilat duhet të punojnë për t’i zgjidhur problemet. SHBA-ja si partnere e fuqishme e ndihmon dhe asiston vendin tuaj në këtë drejtim”, deklaroi Reeker.

Ai paralajmëroi se më 16 shkurt zëvendëspresidenti amerikan Joseph Biden dhe sekretarja e shtetit Hillary Clinton do ta presin në takime të ndara kryeministrin Nikola Gruevski, ku në agjendë janë ngjarjet aktuale dhe problemet e grumbulluara.

Lidhur me zërat për zgjedhjet e parakohshme, ai është shprehur: “Për zgjedhje vendosni ju, sepse ju i keni institucionet”.

Ambasadori amerikan, ka paralajmëruar edhe vizitën e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Thomas Countryman në Maqedoni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›