Shërbëtori i Kosovës
I. Një Sizif modern
Pas angazhimit shumëvjeçar si punëtor humanitar në shumë vatra të krizës Rupert Neudecku nuk ka iluzione. “Unë jam Sizifi, po. Unë e rrokullis gurin”. Nga mitologjia greke dihet se Sizifi ishte dënuar të mbarte gurë përpjetë në majën e një kodre. Sa herë që i afrohej kodrës, atij i rrëshqiste guri dhe detyrohej t’ia niste punës nga fillimi. Kështu e përshkruan Sizifin vetë Homeri në këngën e 11 të veprës së tij, Odiseja. Në kuptimin e sotëm Sizifi është sinonim i një njeriu që me gjithë mundimet e mëdha vazhdimisht përpiqet të bëjë diçka në të mirën e njerëzimit. I tillë është Rupert Neudeck, i cili si rrallë ndonjë personalitet tjetër publik në Gjermani ka tërhequr vëmendjen e opinionit mbi tragjeditë e përditshme në botë, mbi mjerimin në vende larg Evropës dhe larg syve të ngopur me imazhe shndritëse televizive.
Neudeck u lind më 14 maj 1939 në Danzig (polonisht: Gdanjsk), një qytet që deri në vitin 1945 dominohej nga popullsia gjermane. Pas mposhtjes së nazizmit shumica e gjermanëve të Danzigut u dëbua. Sot Gdanjsku njihet si qytet polak. Në fund të Luftës së Dytë Botërore edhe familja e Rupert Neudeckut u përpoq të ikte nga Danzigu. Hakmarrësit sovjetikë dhe polakë të gjithë gjermanët i trajtonin si nazistë. Mijëra gjermanë u nisën në këmbë, me karrocë - dhe me anijen “Wilhelm Gustloff” në drejtim të Gjermanisë Perëndimore, e cila tani po administrohej nga aleatët fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Shumica e refugjatëve të anijes “Wilhelm Gustloff” nuk arritën kurrë në Gjermani.
II. Një anije
Më 30 janar 1945 anija më moderne gjermane e asaj kohe u qëllua prej tre torpedove të shkrepura nga një nëndetëse ruse. Prej rreth 10 mijë njerëzve në bordin e anijes vetëm 1.200 shpëtuan. Për këtë tragjedi ka shkruar edhe shkrimtari i madh gjerman Günter Grass, i cili po ashtu është i lindur në Danzig. Familja Neudeck pati fat në fatkeqësi: ajo nuk e kishte zënë anijen “Wilhelm Gustloff”, kur ishte nisur nga porti i Danzigut. Pas një odisejade, e cila la gjurmë të thella në kujtimet e Rupert Neudeckut, familja u vendos në Gjermani. Pas përfundimit të gjimnazit, Neudeck filloi të studiojë drejtësi. Dhe pas disa semestrash ia ktheu shpinën fakultetit, duke iu përkushtuar studimit të teologjisë. Në vitet ‘60 iu bashkua jezuitëve dhe filloi të jetojë si asket radikal. Kjo pati pasoja për shëndetin e tij, andaj Neudeck braktisi edhe jezuitët. Deri në vitin 1970 ai studioi teologji, filozofi, gjermanistikë dhe sociologji në Bonn, Münster dhe Salzburg. Në vitin 1972 Neudeck doktoroi në filozofi me një punim mbi “Etikën politike të Jean-Paul Sartreit dhe Albert Camysë”.
Karrierën e tij profesionale Neudeck e filloi në vitin 1971 si gazetar në Köln, mes të tjerash edhe si redaktor politik në radion publike “Deutschlandfunk”. Vetëm prezantimi i mjerimit në botë nuk ishte mjaft për Rupert Neudeckun, sepse ai dëshironte të bënte më shumë, të angazhohej kundër varfërisë, pasojave të luftërave civile në Afrikë dhe Azi.
Në vitin 1979 ai u takua në Paris me André Glucksmannin, filozofin e famshëm francez me prejardhje hebraike, i cili i tregoi për tmerrin e refugjatëve në ishullin vietnamez Pulau Bidong. Pasi u kthye në Gjermani Neudeck, i përkrahur me zemërgjerësi nga shkrimtari nobelist Heinrich Böll, themeloi Komitetin gjerman “Një anije për Vietnamin”. Në vitin 1982 Komiteti u emërua “Cap Anamur”. Iniciativa e Neudeckut për të shpëtuar vietnamezët, të cilët duke ikur nga regjimi komunist fundoseshin para syve të botës, u përkrah nga gjermanët. Atëbotë brenda tri ditësh në xhirollogarinë e “Cap Anamurit” u derdhën mbi një milion marka gjermane. Mes viteve 1979 dhe 1986 një anije e “Cap Anamur” para bregdetit të Vietnamit shpëtoi mbi dhjetë mijë njerëz, të ashtuquajtur “boat people”.
III. Në Kosovë
Pas përfundimit të misionit në Vietnam “Cap Anamur” u angazhua në shumë vatra krize, sidomos atje ku dështonte burokracia e madhe e OKB dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. “Cap Anamur” mbante dy spitale në Vietnam, ambulanca në Kolumbi dhe Etiopi si dhe një spital në Irakun Verior. Kjo organizatë humanitare në fillim të viteve ‘90 u përpoq të pastrojë Angolën nga minat.
Rupert Neudeck është një humanist i madh dhe luftëtar kundër burokracisë. “Cap Anamur” punon me shpenzimet më të vogla të mundshme, nuk punëson aradhe nëpunësish, të cilët nga zyrat e ngrohta do të delegonin punët në “fushëbetejë” dhe do të mjaftoheshin me formulimin e raporteve mirëtingëlluese. Rrjedhimisht Neudeck nuk ka ngurruar të kritikojë ashpër OKB dhe misionet e saj nëpër vatrat e krizës, Komisariatin e Lartë për Refugjatë (UNHCR) për angazhimin e plogët dhe ngritjen e barrierave burokratike.
Në shtator të vitit 1998 Rupert Neudeck e dorëzoi postin e kryesuesit të “Cap Anamurit” - dhe pas pak kohësh sërish u kthye në këtë funksion, sepse e priste një angazhim i ri humanitar - kësaj radhe në Kosovë. Sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s, kur forcat serbe nga Kosova dëbuan rreth një milion njerëz, “Cap Anamur” dhe Neudeck qenë shumë aktiv në fushën e Bllacës. Gjatë kësaj periudhe “Cap Anamur” për Kosovën tuboi 58,7 milionë marka gjermane. Me këto para, pas luftës, u ndërtuan 6000 shtëpi dhe shtatë shkolla në Kosovë, madje Neudeck në disa vendbanime në Kosovë solli edhe kamionë për heqjen e bërllokut.
IV. Dëshpërimi
Me gjithë angazhimin vijues në vende të tjera (Afganistan, Kore e Veriut, Mozambik, Sudan), Neudeck vazhdimisht është kthyer në Kosovë dhe ka qenë pjesëmarrës në shumë debate publike për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Në shkurt të vitit 2001 ai kritikoi ashpër një emision të televizionit gjerman WDR, ku NATO dhe, sidomos, ministri i atëhershëm gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Scharping, akuzoheshin se e kanë gënjyer opinionin perëndimor për të arsyetuar intervenimin kundër Serbisë. Më vonë Neudeck qëndroi në Kosovë dhe vizitoi vendet, prej të cilave kishte raportuar WDR, organizoi një konferencë për shtyp në Prishtinë dhe prezantoi argumente se krimet serbe në Kosovë nuk janë të shpikura, siç aludonin dy gazetarët e WDR. Neudeck është po ashtu debatues i gjallë dhe analizues problemesh. Ai nuk pranon që mendimin e tij ta mbaj në grusht. Shpeshherë është paraqitur me tekste edhe në këtë gazetë. Në artikullin e fundit të botuar pak pas aferës që u krijua pas arrestimit të tre agjentëve të shërbimit sekret gjerman në Prishtinë, Neudeck konstatonte me të drejtë dhe me plot zemërim se sjellja e autoriteteve të Kosovës dhe mënyra e “menaxhimit” të skandalit kanë qenë tepër dëmtuese për imazhin e Kosovës në botë, e sidomos në Evropë. Neudeck një kohë të gjatë besonte se ardhja në pushtet e njerëzve të shkolluar dhe të socializuar në Perëndim do ta humanizonte politikën në Kosovë. Por doli se jo vetëm shpresat e Neudeckut qenë të kota. “Nëse dëshiron ta njohësh karakterin e një njeriu, atëherë atij jepi pushtet”, - ka thënë presidenti amerikan Abraham Lincoln.
V. “Vdekja në parajsë”
Rupert Neudeck është bashkëpunëtor edhe i disa gazetave gjermane (mes tyre “Die Zeit”), por edhe autor i disa librave: “Shpëtimtarët e njerëzve nga “Cap Anamur”, “Përtej Kabulit”, “Pas luftës. Para paqes”, “Një udhëtim në fund të botës legale”, “Vdekja në parajsë. Gjenocidi në Ruandë”. Në misionet e tij humanitare Neudeck u ballafaqua edhe me pengesa. Në vitin 2003 Neudeck u përpoq të hynte në Çeçeni, por autoritetet ruse e kthyen prapa edhe pse ishte i pajisur me vizë. Më parë, në fund të vitit 2002, ai ishte larguar nga kryesia e ‘Cap Anamurit’. Pasardhësi i tij Elias Bierdel ka qenë gazetari i fundit gjerman, i cili qëndroi në Kosovë pas fillimit të intervenimit të NATO-s.
Që Neudeck është një misionar i parehatshëm i humanizimit u dëshmua, kur ai, pasi u shkëput nga “Cap Anamur”, themeloi shoqatën “Helmetat e gjelbra”, në të cilën të krishterë dhe myslimanë së bashku ndërtojnë shtëpi të shkatërruara nga lufta. Këtë të enjte Rupert Neudeck kremton 70-vjetorin e lindjes. Në dhjetë vitet e fundit Neudeck ka qenë një shërbëtor i madh i Kosovës - si ndërtues i shtëpive të shkatërruara në luftë, si mbështetës i kauzës së pavarësisë dhe si luftëtar kundër interpretuesve qëllimkeq të historisë më të re të Kosovës në disa media në Gjermani. I gjithë ky angazhim i Rupert Neudeckut në Kosovë ka hasur në injorancë mediale, politike dhe publike. Kështu mund të ndodhë edhe kësaj radhe, në ditëlindjen e tij.