Protestat anti-film, shumë vende në alarm

Shumë vende të botës kanë shtuar sigurinë pas paralajmërimeve për protesta të tjera kundër filmit që fyen profetin Muhamed.
Një ditë më parë, qeveria u detyrua të aktivizonte ushtrinë për të vendosur sigurinë përreth ambasadës amerikane në Islamabad.
Protestuesit para selisë diplomatike thërrisnin “Vdekje Amerikës”. Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për t`i shpërndarë ata, por pa ia arritur qëllimit.
Aktivizimi i ushtrisë shpërndau turmën anti-amerikane dhe pas orësh të tëra përleshje, autoritetet njoftuan shpërndarjen paqësore të protestuesve.
Ndërkohë, në Egjipt masa ekstra sigurie janë vendosur në të gjitha selitë diplomatike perëndimore, veçanërisht në ambasadën amerikane dhe atë franceze pas publikimit të karikaturace të profetit Muhamed nga një revistë satirike në Paris.
Të paktën 20 persona kanë gjetur vdekjen nga protestat kundër filmit “Pafajësia Muslimane”, mes tyre edhe 4 diplomatë amerikanë në Bengazi të Libisë, përfshirë këtu ambasadorin Chris Stivens. Filmi me buxhet të ulët qarkullon në internet prej muajit korrik, ndërkohë që një gjykatë në Florida refuzoi padinë e aktores Cindy Lee Garcia për ta hequr nga Youtube.
Aktorja pretendonte se ishte mashtruar nga regjisori i filmit që nuk i kishte treguar se për se bëhej fjalë dhe vec heqjes së filmit nga interneti, kërkoi dhe dëmshpërblim.