Protestat antieuro 2012
Aktiviste “topless” nga organizatat ukrainase të të drejtave të grave kanë vazhduar protestat anti-Euro 2012 edhe në kryeqytetin Kiev. Grupimi “Femen” po i përqendron protestat topless në luftën për të drejtat e grave, duke shfrytëzuar evenimentit kontinental që do të nisë në fillim të qershorit, të cilin Ukraina e organizon së bashku me Poloninë.
Vajzat e “Femen”, të cilat janë bërë të famshme për protestat ku nuk përdorin rroba në pjesën e sipërme të trupit, duke tërhequr fotografët dhe telekamerat e mediave nga e gjithë bota, kanë denoncuar rrezikun se Europiani i futbollit, që do të zhvillohet nga 8 qershori deri më 1 korrik, rrezikon të shndërrohet në një turizëm seksi për mijëra tifozët nga i gjithë kontinenti.
“Po protestojmë kundër faktit që të gjithë e shohin Ukrainën në një bordello gjigande dhe ky fenomen rrezikon të përhapet edhe më shumë gjatë Euro 2012”, tha Ina Shevçenko, njëra prej aktivisteve të “Femen”.
Gjatë protestës së të enjtes u arrestuan tre aktiviste, ndërsa kjo ishte shfaqja e radhës anti-Euro 2012, pas protestave të fillimit të majit në Kiev dhe Dnipropetrovsk. Ndërkohë, grupimi “Femen” ka kërcënuar se do të ndërmarrë edhe disa nisma kundër aktivitetit, ku madje po shqyrton edhe mundësinë e vjedhjes së Kupës së Europës gjatë finales.
Ndërkohë, disa media e kanë cilësuar deri diku të drejtë protestën e tyre, pasi gjatë Euro 2012 në Ukrainë ka një alarm të vërtetë sanitary, pasi ky vend ka përhapjen më të madhe të virusit “Hiv” në “Kontinentin e Vjetër”.