Skandalet bie pasioni per futbollin
Instituti “Datamonitor” ka krye një sondazh në Itali, për të analizuar çfarë mendojnë njerëzit pas skandalit të radhës së basteve në vend. Në përfundim shifrat janë alarmante, duke konfirmuar se pasioni për sportin më popullor ka rënë, ndërsa “sjellja e tifozëve ndaj futbollit ka ndryshuar me 54 për qind”.
“Si tifoz çfarë reagimi keni pas skandalit të basteve?”, ishte një nga pyetjet e bëra pas operacionit “Neë Last Bet”, në të cilin janë përfshirë edhe lojtarë të Serisë A, të Kombëtares italiane dhe drejtues sportivë.
21.4 për qind e të intervistuarve i janë përgjigjur kësaj pyetje se “e prisnin diçka të tillë” dhe nuk u çuditën, ndërsa “62.7 për qind shprehu neveri dhe shfaqi shenja zmbrapseje”. Përveç faktit që sipas statistikave sjellja ndaj futbollit ka ndryshuar me 54 për qind, 51.5 për qind e tifozëve të marrë në pyetje kanë deklaruar se “pas hetimit nga Prokuroria e Kremonës, futbollit italian nuk i kanë mbetur më vlera”.
Skandalet kanë ndikuar mbi të gjitha të pasioni i mbështetësve, pasi 45,2 për qind e të intervistuarve ka pranuar se tashmë nuk ndihet më “tifoz i dashuruar me skuadrën e tij”. Ky është një konfirmim se imazhi i markës së futbollit italian ka marrë një goditje të rëndë, e cila mund të ndikojë kryesisht te financat e klubeve.
Trendi negativ mund të reflektohet edhe në sektorin e basteve dhe ky fenomen është vënë re edhe në skandalet e mëparshme. Në vitin 2011, efektet negative nga skandali i basteve kanë bërë që gjatë vitit të kaluar kuota e basteve të ishte 3 miliardë e 849 milionë euro. Në Itali janë luajtur 547 milionë euro më pak, e thënë me statistika shifrat e basteve kanë qenë 12.4 për qind më të ulta se në vitin 2010, kur ato arrinin 4 miliardë e 396 milionë euro.