Hana: Të ardhurat dytësore do të përdoren nga spitalet
Të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet dhe kjo është një pikë themelore e mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shëndetësore. Kështu u shpreh drejtoresha e Insitutit të Sigurimeve të kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, e cila thekson se për këtë është rënë dakord pas shumë diskutimesh me Ministrinë e Financave. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh në fjalën e saj se është marrë tashmë mbështetja e plotë e qeverisë për të ndërmarrë këtë reformë të rëndësishme për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në spitale. Ndërkohë, Elvana Hana, në fjalën e saj tha se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit, i cili do të lidhë kontratë me stafin. Sipas Hanës, nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor, do të kërkohet me këmgëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre. Ndërkohë, kreu i Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, në Kuvend u shpreh se do të mbështesë në komisionin parlamentar ndryshimet ligjore që do të legjitimojnë këtë nismë mjaft të rëndësishme, e cila më pas do t’i hapë rrugë mirëfunksionimit të tregut edhe në Shëndetësi. Ndërsa këshilltari i Presidentit të Republikës, ish-ministri i Shëndetësisë, z. Maksim Cikuli, u shpreh se është tejet e nevojshme shtesa e fondeve për shëndetësinë. “E përshëndes këtë nismë dhe mendoj se çështja e parë dhe më e prekshme që duhet të zgjidhet është ajo e medikamenteve në spitale. Dihet gjendja që është sot dhe nëpërmjet një përdorimi më të mirë, qoftë edhe të të ardhurave aktuale, pa lënë mënjanë një shtesë fondi të domosdoshme, duhet t’u jepet fund këtyre mungesave të theksuara në spitalet tona”, - tha Cikuli.