Sot lista përfundimtare e fituesve në universitete
Në fazën e tretë konkuruan, për 4 mijë kuota, 3 814 kandidatë për studentë. Regjistrimi nis më 7 dhe përfundon më 15 nëntor
Saga e gjatë e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend po vjen drejt fundit. Ditën e sotme, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në IAL (APRIAL), do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të fazës së tretë dhe të fundit për këtë vit akademik. Burime pranë kësaj agjencie kanë bërë të ditur se kanë përfunduar përpunimin e të dhënave për fazën e tretë të pranimeve në universitetet publike. Frederik Shalësi, drejtor i APRIAL-it, deklaron se formulari A3 është plotësuar nga rreth 3 814 kandidatë për studentë, ndërkohë që numri i kuotave të vendosura nga MASH-i në këtë fazë është 4 mijë të tilla. Po kështu, në rang vendi, janë rreth 1 600 studentë, të cilët megjithëse kanë fituar të drejtën e studimit në dy fazat e para, kanë dorëzuar pranë APRIAL-it kërkesën për ndërrimin e degës universitare. Në Tiranë, në bazë të raportimeve të APRIAL-it, janë 650 kandidatë, të cilët kanë plotësuar Formularin A3, duke mos qenë fitues gjatë dy fazave të para. Edhe në fazën e tretë rezultatet e fituesve janë përcaktuar në bazë të pikëve të grumbulluara në shkollën e mesme, provimeve të Maturës Shtetërore, të disa programeve studimi, të konkursit, si dhe vullnetit të kandidatëve, të shprehur në formularin A3.
Pas përpunimit të të dhënave, ditën e sotme APRIAL-i do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht do të dorëzojë këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Më tej, do të jetë dikasteri i arsimit, i cili do të dorëzojë ditën e nesërme në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Mbështetur në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave, regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet pranë sekretarive të fakulteteve, nga data 7 deri në 15 nëntor. Sekretaritë e fakulteteve do të jenë të detyruara të qëndrojnë në dispozicion të individëve që kanë fituar të drejtën e studimit, nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 në mbrëmje. Institucionet e arsimit të lartë do të jenë të detyruara të afishojnë në mjediset e tyre, menjëherë, listat e fituesve në vende të dukshme.