LSI, Ylli: Qytetarët refuzuan ekstremizmat e Edi Ramës
Lëvizja Socialiste për Integrim e ka cilësuar protestën treditore të Partisë Socialiste një dështim dhe antikauzë të Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Dritan Ylli, deklaroi se qytetarët refuzuan protestën e Edi Ramës. “Protesta gjoja-treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Deklaratat halucinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pacensuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë. Edhe sondazhe serioze siç ishte ai i “Zërit të Amerikës”, ku 76 për qind të shqiptarëve ishin kundër protestës dhe bojkotit, është një dëshmi e qartë e refuzimit kategorik që shqiptarët ju bëjnë ekstremizmave anti-integrim”, - deklaroi Ylli. Ai tha më tej se “butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionerët e tij”. Ai e cilësoi këtë protestë sot një përpjekje të Ramës për të nënshtruan shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve. “Ndaj qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth. Dhe këtë e vërtetoi dukshëm, fakti që protesta degradoi në nivelin ku kishte më shumë çadra, kioska për qofte, stufa gazi dhe disa kioska për nevojë të tjera. Refuzimi ishte provë e qartë se shqiptarët nuk mbështesin antikauzat ekstremiste, që shkojnë kundër integrimit evropian të Shqipërisë. Veçanërisht në këtë moment kundër procesit të liberalizimit të vizave”, tha më tej Ylli. Në këtë deklaratë, LSI e ka cilësuar protestën e PS-së si një antikauzë që ka përqafuar Edi Ramën dhe të vjetrit në PS. “Procesi i integrimit evropian dhe hapi i parë i madh i liberalizimit të vizave, është një proces i pandalshëm”, - deklaroi Dritan Ylli.