Protestat e opozitës, Meta: E presim në Kuvend, jo në rrugë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se protestat e paralajmëruara të opozitës janë një tregues i demokracisë në vend, por ai kërkoi që opozita të jetë e pranishme në Kuvend, pasi, sipas tij, kështu mund të realizohen kushtet e vendosura prej saj. “Qeveria dhe mazhoranca e re janë sjellë në mënyrë tepër konstruktive me opozitën, ndaj ajo është e mirëpritur në Kuvend, sepse ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur edhe në drejtim të procesit të integrimit evropian, por edhe për të realizuar të gjitha kërkesat e saj, që nuk cenojnë sistemin kushtetues në vend dhe pavarësinë e drejtësisë”, - deklaroi Meta. Ai garantoi se qeveria ka vullnetin për të shqyrtuar kërkesat e opozitës, vetëm në rast se nuk cenojnë sistemin kushtetues dhe pavarësinë e drejtësisë. “Klima tentohet në mënyrë të njëanshme për t'u provokuar, por qëndrimi i qeverisë është shumë konstruktiv që opozita të luajë rolin e saj. Kundër rrugës së bojkotit janë dhe shumë eksponentë e përfaqësues në Parlament nga kjo forcë politike”, - tha Meta.
Vizat dhe BE, Berisha: Shqipëria, drejt përmbushjes së standardeve
Qeveria po bën të gjitha përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga BE-ja për vizat dhe anëtarësimin e plotë në familjen evropiane. Kryeministri Sali Berisha takoi dje ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, ku në qendër të tij ishte integrimi i Shqipërisë drejt BE-së si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke i shprehur urimet për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë, ministri Spindelegger e garantoi Kryeministrin se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian si për sa i përket shqyrtimit të aplikimit për anëtarësinë dhe statusin e kandidatit, ashtu edhe për sa i përket liberalizmit të vizave. Berisha falënderoi ministrin për mbështetjen dhe e garantoi atë se qeveria e tij do të punojë për përmbushjen e të gjitha standardeve. Në takim u diskutua gjithashtu për reformat dhe arritjet e qeverisë në shumë fusha dhe angazhimi i dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, në veçanti në fushën ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve austriakë në Shqipëri.