E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqipëria, drejt përmbushjes së aspiratës evropiane



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bindjen e plotë se përmes progresit të arritur, Shqipëria është shumë afër aspiratës integruese të saj. Z. Topi priti dje ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, Presidenti Topi shprehu vullnetin dhe angazhimin e plotë institucional për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke vënë në pah rëndësinë e liberalizimit të regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe rritjen e kontakteve politike dhe ekonomike-tregtare në nivele edhe më të larta. Kreu i shtetit i shprehu ministrit të Jashtëm austriak mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë për vendin tonë në rrugën e integrimit drejt familjes së madhe evropiane. Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon, ku dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh, kontribuon ndjeshëm në qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, theksoi se qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e secilit prej vendeve të Ballkanit është e rëndësishme jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë rajonal e më gjerë, sepse e ardhmja e të gjithë rajonit ballkanik do të jetë pa asnjë mëdyshje integrimi evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›