E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, tryezë me parti të majta e të djathta që mbetën jashtë Kuvendit



Pasi ka hequr dorë nga termi i shumëpërdorur “politikë e re”, Edi Rama ka shpikur së fundmi “Forumin për demokraci”, rreth të cilit ka mbledhur parti të majta e të djathta që mbetën jashtë Kuvendit. Tryeza e organizuar dje ka qenë më shumë formale sesa zyrtare, për vetë faktin se mbahej në ambientet e një bari në qendër të qytetit dhe jo në ndonjë institucion, qoftë edhe në selinë e PS-së. Por ashtu siç pritej, në këtë takim të thirrur nga kreu i PS-së kanë marrë pjesë disa përfaqësues të së djathtës, që nuk ishin pjesë e koalicionit të kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe mbetën jashtë Kuvendit në zgjedhjet e fundit. Vetëm PBDNJ-ja e kryesuar nga Dule është parti parlamentare nga aleatët e djeshëm të PS-së. Sigurisht në këtë aleancë të re Rama ka krah aleatët e tij tradicionalë, G99, PSD dhe PDS. Këtij grupimi i janë bashkuar dhe të ikurit nga LSI pas vendimit të kësaj partie për të hyrë në koalicion me PD-në, Ngre Legisi dhe Mustafa Muçi, dhe disa përfaqësues të sindikatave të pavarura. Një surprizë e tubimit të djeshëm ka qenë pjesëmarrja e ish-deputetit të PD-së, Preç Zogaj, por dhe ai i bashkohet frymës që i bashkon këta të djathtë e të majtë rreth Ramës, e që ka të bëjë me kërkesën për hapjen e kutive të votimit, me pretendimin se ka pasur parregullsi në zgjedhjet e fundit.

Pranojnë aleancën, por nuk shkojnë në protestë

Hapi i hedhur nga përfaqësuesit e partive joparlamentare të djathta nuk ka shkuar më larg sesa një kafe e konsumuar me Ramën e Gjinushin në sy të kamerave. Kësisoj ata e kanë pranuar një aleancë “de facto” me PS-në, duke pranuar se i bashkon kauza e përbashkët për zgjedhjet e fundit, por nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e protestës qytetare që PS organizon të shtunën. Vetëm Dule, i cili u bë aleat me Ramën pak kohë para zgjedhjeve të 28 qershorit duke ikur nga koalicioni me PD-në, mund të jetë pjesë e kësaj proteste, megjithëse nuk e tha shprehimisht këtë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i Partisë për Drejtësi dhe Ligj, Spartak Ngjela dhe ish-deputeti i Lezhës, Preç Zogaj, bënë të ditur pas takimit se mbështesin motivin e protestës dhe kërkojnë gjithashtu hetimin e zgjedhjeve, por nuk do të jenë pjesë e protestës së opozitës. Në një farë mase mund të quhet e dështuar tryeza e djeshme e thirrur nga Rama, pasi pritej që ai t’u kërkonte pikërisht këtë. Me disa figura të djathta në krah, ai do të krijonte idenë se gëzon një mbështetje të gjerë në aksionin politik të ndërmarrë. PS ka bojkotuar punimet e Kuvendit dhe ka vendosur të zhvillojë protesta në përgjigje të kërkesës për hapjen e kutive të votimit, megjithëse i konsumoi të gjitha rrugët ligjore të ankimimit pas zgjedhjeve.

Legisi: Unë kërkoj votat e vjedhura të LSI-së

I larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ku ishte themelues bashkë me Ilir Metën pasi vendosën të ikin nga PS në vitin 2004, Ndre Legisi është rikthyer sërish në shtëpinë e vjetër. Ai ishte dje në takimin me Ramën dhe deklaroi shkëputjen nga LSI, duke thënë se ishte në atë tryezë si përfaqësues i të gjithë atyre anëtarëve të LSI-së, të cilët u është vjedhur vota që me ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Legisi tha se i ishte bashkuar PS, që kur LSI kishte vendosur të bashkëpunonte me qeverinë. “Unë përfaqësohem dhe në këtë takim duke ruajtur atë linjë që kemi pasur në 2005, ku LSI-ja ishte iniciuese për hapjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e atij viti. Për hapjen e kutive të votimit përfaqësojmë të gjitha votat e LSI-së, që janë vjedhur si rezultat i papërgjegjshmërisë që u tregua në natën kur u ndryshua Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor".

Milo: Pas protestës, platforma e bashkëpunimit opozitar

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, tha se në takim ishte diskutuar dhe mbi hartimin e një platforme të përbashkët për të çuar më tej aksionin politik për zbardhjen e votës së 28 qershorit. “I bëjnë thirrje të gjitha forcat politike që janë në opozitë të dalin në protestë të protestojnë manipulimin e zgjedhjeve. Niveli i dytë është në diskutimin e afrimit të një platforme të përbashkët për të përballuar këtë trysni, që nuk dëshiron që ne do të vazhdojmë aksionin politik dhe shumë afër do përcaktojmë platformën me pikat kryesore që kanë të bëjnë me bashkëpunimin afatgjatë për një demokraci të vërtetë”. Milo sqaroi se protesta do të jetë paqësore. “Nuk do dalim as me shishe motov për të sulmuar Kryeministrinë, por me një mesazh të qartë paqësor që kërkojmë të ndalet deformimi i votës e vullnetit politik dhe Shqipëria përfundimisht të jetë një vend demokratik, ku shqiptari të jetë zot i votës së tij”.

Spartak Ngjela: Mbështes bojkotin e Edi Ramës

Ish-kundërshtar i Edi Ramës në garën për bashkinë disa vite më parë, Spartak Ngjela tashmë ka gjetur pikat e përbashkëta me të dhe do të jetë aleat me kreun e PS-së. Pas takimit, Ngjela tha se “qëllimi i takimit ishte që edhe ne të spektrit të djathtë t’i japim mbështetjen dy pikave esenciale të kohës: bojkotit dhe protestave. Mendimi ynë ishte që vetëm bojkoti dhe protestat janë mjeti efikas për të risjellë demokracinë e sistemin liberal në demokraci”. Ai tha se s’do jetë pjesë e protestës deri në momentin që do të kërkohet dorëheqja e qeverisë. “Në momentin që do kërkohet dorëheqja e qeverisë, do marrim pjesë dhe ne në protesta pavarësisht nga ngjyra. Nuk ka një marrëveshje midis të majtëve dhe të djathtëve në raport me programet, por ka një marrëveshje për rikthimin institucional të demokracisë liberale në Shqipëri”, - tha ai. Ngjela bëri të ditur se vendimi për të shkuar në protestë do jetë personal, por shtoi se “tek protestat e tjera patjetër që do të marrim pjesë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›