Vizat, Topalli, Spindelegger: Finalizimi, shumë shpejt
Kryediplomati austriak, z. Spiendelegger, një nga figurat më të rëndësishme dhe më të spikatura të politikës austriake, por edhe evropiane, vlerësoi dje jo vetëm ecjen e Shqipërisë përpara, por edhe rolin e saj thelbësor në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kjo e fundit foli për sfidat e parlamentarizmit në këtë mandat, duke veçuar forcimin e kuadrit ligjor me ligje të standardeve të larta evropiane. Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, ministri Spiendelegger tha se Austria do të bëjë më të mirën në mbështetje të kësaj ambicieje. “Ju po bëni shumë në këtë drejtim, - tha ai, duke shtuar se, “për Shqipërinë prania e të gjithë forcave politike në Parlament është shumë e rëndësishme”. Ajo shprehu kënaqësinë për vëmendjen e Austrisë, por edhe të shumë vendeve anëtare të BE-së, për çështjen e liberalizimit të vizave, të cilën ajo e cilësoi si sfidën e radhës të politikës dhe qytetarëve shqiptarë, duke shprehur bindjen se ky proces do të finalizohet së shpejti. “Liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, - tha kryetarja e Kuvendit, - dhe Shqipëria si i vetmi vend totalisht i izoluar, meriton që qytetarët e saj të lëvizin të lirë në vendet e familjes ku natyrshëm bën pjesë. Për këtë, mbështetja e miqve dhe partnerëve si Austria është shumë e rëndësishme”.