E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat në Bahrein, anullohet gara e Formula 1

BAHREIN Trazirat e mëdha që kanë përfshirë Bahreinin, kanë çuar në anulimin e garës së Formula 1, që ishte parashikuar të zhvillohej në këtë vend më 13 mars.

Drejtuesit e cirkuitit aziatik kanë bërë të ditur se për arsye sigurie, Çmimi i Madh i Bahreinit nuk mund të zhvillohet. Një gjë e tillë ishte e pritshme, duke parë protestat e fuqishme në këtë vend, që deri tani kanë shkaktuar 6 të vdekur.

Më përpara, pronari i të drejtave komerciale të këtij sporti, Berni Ekleston, pati deklaruar për BBC se zyrtarët e Bahreinit duhet të jepte garanci për zhvillimin e garës. Sheiku Salman bin Hamad Al-Khalifa, që është lideri i Bahreinit dhe njëkohësisht komandanti i forcave të armatosura është duke udhëhequr dialogun në vendin e Lindjes së Mesme, ku deri tani regjistrohen 6 të vdekur. “Ai duhet të vendosë nëse e sigurt të shkojmë apo jo, - deklaroi Ekleston. – Nuk e kam idenë, sepse nuk jam atje. Por, nuk do të çojmë njerëzit në Bahrein nëse nuk do të kemi garanci për sigurinë e tyre”, shtoi 80 vjeçari britanik.

Në bazë të programit, skuderitë e Formula 1 duhet të zhvendoseshin në Bahrein që më 3 mars, kështu që vendimi nga autoritetet vendase duhet të merrej në mënyrë imediate. Në orët e pasdites së të hënës, organizatorët bënë të ditur në mënyrë zyrtare anulimin e garës, që do të startonte këtë sezon të Formula 1.

(balkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›