E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat përfundojnë pa incidente

Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 16:40

(E plotësuar) Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestat e thirrura nga opozita nëpër rrugët kryesore të Tiranës, Vlorës, Korçës e Lezhës, të cilat kanë përfunduar të qeta dhe pa incidente, pak para orës 16.00.

Protestuesit me pankarta në duar kundër qeverisë mbajtën marshimin qetësisht nëpër rrugët kryesore të qyteteve.

Në rreshtin e parë të protestuesve ishin deputetët socialistë, ndërsa nuk janë mbajtur fjalime politike.

Policia ka bërë të ditur se në protesta nuk u evidentua asnjë incident.

Ndryshe, lidhur me demonstratat e sotme, i dërguari i BE-së Mirosllav Lajçak i bëri apel dje qytetarëve të sillen paqësisht dhe të përgjegjshëm, për të mos provokuar dhe të mos provokohen që të evitohet dhuna.

Në protestat e 21 janarit patën humbur jetën tre persona dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur.

Nisin protestat e PS-së

Partia Socialiste ka filluar protestat në Vlorë, Korçë, Lezhë dhe në Tiranë. Në kryeqytet njerëzit do të bllokojnë rrugët kryesore, derisa grumbullimi i protestuesve po bëhet nga pesë pika.

Në Vlorë, mijëra qytetarë nën drejtimin e kreut të socialistëve, Edi Rama, po marshojnë me parulla kundër qeverisë.

Opozita e bashkuar njoftoi dje se skema e protestave të sotme është e ndryshme nga të mëparshmet.

Protestat në dallim nga ato të mëparshmet nuk përmbajnë fjalime, vetëm parrulla kundër qeverisë. Kjo është protesta e tretë e opozitës për këtë vit. Protesta e parë, e mbajtur më 21 janar, përfundoi me tre të vrarë e qindra të plagosur. Protesta e së premtes së shkuar ishte marshim homazh në nderim të tre të vrarëve në 21 janar.

Ngjarjet e 21 janarit kanë thelluar krizën politike në Shqipëri, çfarë e ka detyruar BE-në të dërgojë Mirosllav Lajçakun për të ndërmjetësuar mes palëve. (rel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›