Policët, ‘leje’ vjedhjeje për 15 hajdutë në Tiranë
TIRANE - Të paktën 15 hajdutë xhepash në linjat e urbanëve në kryeqytet kanë vepruar për disa muaj me bekimin e dy ish-oficerëve të policisë Peng Frroku e Besnik Preni, të arrestuar pesë ditë më parë me akuzën e korrupsionit. Burime të Prokurorisë së Tiranës, thanë se nga hetimi i dosjes penale ndaj dy oficerëve për të cilët gjykata vendosi masën "burg pa afat", ka rezultuar se ata kanë pasur biseda telefonike në datat 30 mars 2010 dhe 6 prill 2010 me të paktën 15 hajdutë xhepash të cilëve u kërkonin "këstin e ryshfetit" një herë në javë. Secili nga oficerët u merrte hajdutëve çdo shtatë ditë nga një shumë ryshfeti prej 15 mijë lekë të reja. Skandali është zbuluar nga një qytetar nga Durrësi, i cili ka bërë denoncim në policinë e Tiranës, duke thënë se ishte vjedhur për herë të dytë nga të njëjtët hajdutë. Ai i kishte denoncuar edhe herën e parë hajdutët, por askush nuk kishte vepruar për arrestimin e tyre. Verifikimi i rastit tregoi se denoncimi ishte marrë dhe "hedhur në kosh" nga dy oficerët e arrestuar me akuzën e korrupsionit. Ata u kërkonin para çdo javë hajdutëve në këmbim të mos fillimit të ndjekjes penale ndaj tyre. Arrestimi i dy oficerëve u bë në flagrancë më 6 prill 2010 pasi ata kishin marrë nga 15 mijë lekë të reja secili nga hajdutët e xhepave. Pagesa e radhës ishte kryer një javë para arrestimit të policëve në datën 30 mars 2010. Sipas hetimeve të SHKB dhe Prokurorisë, dy oficerët mbanin kontakt të rregullt me hajdutët të cilët i shmangnin nga ndjekja penale kundrejt pagesave të shumave të ryshfetit.