E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat shkaktojnë vonesa në trafik, nuk gjejnë përkrahje qytetare

12/05/2010 Zbatohet skena ri i PS-së, bllokohen akset rrugore

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje socialistët kanë bllokuar disa nga akset rrugore kryesore në vend. Sipas njoftimeve të ardhura, përveç amullisë së shkaktuar dhe vonesave në trafik, protestat nuk kanë gjetur mbështetjen e masave të gjera të popullit, por janë lokalizuar në disa dhjetëra apo qindra simpatizantë a militantë të PS-së. Në krye të protestave, veç deputetëve të PS-së, janë vënë re dhe krerët e bashkive apo komunave me shumicë socialiste. Kështu për shembull, në bllokimin e rrugës nacionale Lushnjë-Fier, veç deputetëve socialistë, janë vënë re dhe kryetarët e bashkive të Fierit, Lushnjës apo Ballshit. E njëjta gjë raportohet dhe nga bllokimi i aksit të rrugës në qytetin e Durrësit, ku protesta ka rrezikuar të degjenerojë në dhunë, për shkak të irritimit të qytetarëve të mbetur të bllokuar në trafik. Sipas raportimeve nga kjo protestë, mësohet se në krye të saj është vënë kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, nënkryetari i kësaj bashkie, si dhe ish-prefekti i Durrësit. I njëjti fenomen raportohet të ketë ndodhur dhe në qarkun e Beratit, ku protestuesit kanë bllokuar rrethrrotullimin e Poshnjës, duke paralizuar lëvizjen e makinave që qarkullonin drejt Lushnjës, Beratit dhe Skraparit. Sipas korrespondentëve tanë, në krye të protestës janë vënë dhe drejtues të pushtetit lokal, kryesisht të fituara nga e majta. E njëjta gjë raportohet dhe nga Vlora, ku në krye të protestës kanë spikatur drejtues të pushtetit lokal.

Skenari

Akse të bllokuara janë raportuar dhe në rrugën Tiranë-Shkodër, si dhe në rrugën Tiranë-Elbasan, tek ura e Farkës, ku në krye të protestës ka qenë Dashamir Peza. Bllokimi i rrugëve, si pjesë e skenarit për përshkallëzimin e protestave, ka filluar rreth orës 13 të ditës së djeshme, pa asnjë lloj paralajmërimi. Protestuesit janë shtrirë në rrugë për rreth 15 deri në 30 minuta, në shenjë përkrahjeje për grevistët e Tiranës, dhe ku parulla kryesore ka qenë hapja e kutive apo largimi i Berishës. Policia, sipas raportimeve nga rrethet, në asnjë rast nuk ka ndërhyrë në mënyrë të dhunshme, por ka bërë thirrje për lirimin e rrugëve, si dhe ka qenë prezent për shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm. Ndërkohë, sipas raportimeve në terren, pjesëmarrja në këto protesta ka qenë e ulët, dhe veç trafikut dhe pakënaqësisë së shkaktuar prej vonesave, nuk ka arritur të thithë pjesëmarrje qytetare. Gjithsesi, PS-ja ka deklaruar se do ta vazhdojë këtë lloj skenari dhe në të ardhmen. Nga ana tjetër janë raportuar arrestime në qytetet Vlorë dhe Lushnjë, pasi policia e ka konsideruar si të paligjshëm bllokimin e rrugës. Nga ana e tyre edhe qytetarët, që kanë qenë të detyruar të presin, janë shprehur të revoltuar dhe e kanë cilësuar bllokimin e akseve si të padrejtë dhe jo një formë proteste për të kërkuar një të drejtë, qoftë kjo sociale apo politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›