Protestat studentore në Tiranë, “Le Figaro”: Të rinjtë kërkojnë prej muajsh dorëheqjen e Edi Ramës! Përplasje fizike mes deputetëve për dhunën policore
Protestat studentore në Tiranë, ku kërkohet më shumë mbështetje për arsimin dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Gazeta franceze “Le Figaro” raporton se tensionet janë zhvendosur edhe në Kuvend, ku të enjten deputetët u përfshinë në përplasje fizike, ndërsa opozita akuzon qeverinë për dhunë ndaj protestuesve.
Sipas medias franceze, thirrjet për largimin e Ramës vijojnë prej muajsh, ndërsa lëvizja studentore ka njoftuar një tubim kombëtar të shtunën.
Artikulli i “Le Figaro”:
Ndërsa studentët shqiptarë kërkojnë më shumë mbështetje për arsimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të enjten deputetët u përfshinë në përplasje fizike në Kuvend. Opozita akuzon qeverinë për shtypje të dhunshme të protestuesve.
Deputetët shqiptarë u përfshinë në përplasje fizike të enjten, më 22 tetor, në sallën e Kuvendit, në një kohë kur opozita akuzon qeverinë se po ushtron dhunë ndaj protestuesve që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, pas një jave trazirash në kryeqytet, Tiranë.
Gjatë një votimi të parashikuar në rendin e ditës, deputetë të opozitës u mblodhën përpara foltores së kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak të situatës së krijuar nga protestat.
Deputetët e opozitës ngritën fotografi që tregonin fytyrën dhe plagët e një protestuesi, i cili dyshohet se ishte goditur nga efektivët e policisë. Në drejtim të kryetarit të Kuvendit u hodhën ujë dhe dokumente, duke shkaktuar përplasje me deputetë të tjerë.
Skena të tilla nuk janë të pazakonta në Kuvendin e Shqipërisë, ku incidente të ngjashme janë regjistruar edhe në të kaluarën.
“Deputetët e opozitës vendosën sot të bëhen zëri i kërkesave të studentëve”, deklaroi në një komunikatë kreu i opozitës dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, akuzoi opozitën në rrjetet sociale se po përpiqet “t’i përdorë trazirat si një rrugë për t’u rikthyer në pushtet”.
Të enjten, disa qindra protestues u mblodhën përpara Kuvendit gjatë zhvillimit të seancës, por nuk pati përplasje. Ndërkohë, të mërkurën në mbrëmje, në rrugët e Tiranës u raportuan vetëm incidente të vogla.
Lëvizja e protestës së udhëhequr nga studentët ka bërë thirrje për një tubim kombëtar të shtunën.
Protestuesit kërkojnë më shumë mbështetje për arsimin, ndërsa kanë ripërsëritur thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës, të cilat vijojnë prej muajsh. Kryeministri akuzohet për korrupsion.
Më shumë se 300 persona, mes tyre shumë efektivë policie, janë plagosur gjatë përplasjeve, ndërsa dhjetëra protestues janë shoqëruar ose arrestuar nga autoritetet.
Protestat kundër qeverisë në vendin ballkanik nisën në muajin maj, pas kundërshtimeve ndaj një projekti të diskutueshëm për ndërtimin e një kompleksi turistik, i lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.