E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama riblen shpirtra të vdekur

Petrit Vasili 

Çdo ditë saktësisht përpara aktiviteteve të mëdha dhe të deklaruara të LSI-së, publiku shqiptar dëgjon për blerjet imagjinare të askushëve të Edi Ramës, i cili blen e blen dhe riblen të njëjtët gjoja anëtarë të kësaj apo asaj partie dhe veçanërisht merakun e madh e ka tek LSI.
Duke qenë kryetar i një partie që se njeh Edi Rama në mënyrën më qesharake të mundshme, bën sikur paraqet në mexhlis ardhje të reja në partinë e tij zyrtare. Ustallarë shumë më të zot se vetë ai, duke përfituar nga kjo damllosje e tij politike ia shesin Ramës së varfër nga dhjetë herë të njëjtët persona, të cilët kallaballëku i njeh mirë dhe e bëjnë kaq të pështirë pozicionin e tij, sepse njerëzit me të drejtë qeshin dhe gajasen me lot me këtë Çartallosje provinciale të politikës së re.
Operacioni i riblerjes së askushëve pra është vërtet kaq pa mend dhe i çorganizuar, sa pikërisht atje ku ndodh ai, ka shpërthime akoma më të mëdha të LSI dhe organizimit të saj, sa që me hak njerëzit pyesin po si është e mundur që Rama thotë se i erdhën ca njerëz dhe krejt në të kundërt partia nga erdhën shumëfishohet dhe forcohet.
Përgjigjja është shumë e thjeshtë, biznesin e blerjes e paguan vërtet Edi Rama, por në terren e administrojnë ustallarë të tjerë, të cilët po përlajnë para dhe i faturojnë vetëm gafa të njëpasnjëshme kryetarit në distancë të PS-së.
Kaq të pakujdesshëm dhe shpërdorues të parave të Ramës janë këta sekserë të terrenit, saqë harrojnë dhe nxjerrin përpara mediave m’u në ballë kryetarët e anëtarët e tyre në krah të askushëve, duke i shitur si ardhje të reja, ndërkohë që po këta cipëplasur harrojnë se i kanë nxjerrë dhjetëra herë në krah të vetë këtij Ramës përpara mediave, por duke qenë se këtë të fundit nuk e lidh asgjë e vërtetë me partinë e tij, ai nuk kupton gjë dhe e ha sapunin për djathë dhe i duket se po kullandris ndonjë gjë duke riblerë të tijtë nga 20 herë.
Të gjithë e kanë shumë të lehtë të kuptojnë dhe kujtojnë se në LSI, p.sh., kanë ardhur nga PS-ja ish-ministra deputetë, themelues e drejtues të një niveli mjaft të lartë dhe ku Luan Rama, Luan Memushi, Hasan Hoxha, Petrit Ago, Pjetër Dema, Lefter Koka e dhjetëra e qindra të tjerë, të cilët nuk kanë nevojë për asnjë prezantim dhe koment, se ajo që kanë bërë në politikë dhe në PS dikur flet vetë, por ndërkohë që është shumë e mjerë dhe qesharake prezantimi i disa hiçnjerëzve anëtarë prej kohësh në PS, të cilët nuk i njeh askush dhe ku emri i tyre nuk i thotë gjë askujt gjoja si prurje të reja në PS.
Kjo soj komedie fshati e denjë për politikën e re të përtej të vërtetës dhe moralit dhe e riblerjeve të individëve imagjinarë  hidhet në prehrin e një pjese të medias, e cila si edhe vetë ajo është katandisur në një ricikluese të fëlliqësirës mashtruese.
Shpërdoruese e frikshme e të drejtës publike për një informim të saktë dhe të paanshëm të njerëzve, kjo media njëpërdorimshme, pra e principit përdor dhe hidh, është sot viktima më shëmtuar e procesit të riblerjes imagjinare. E paturp njëlloj si mediat e diktaturave, kjo copë e medias është e gatshme të zbathë gjithçka në këmbim të përvetësimit të ca parave që vijnë erë të keqe. Antimisionare e informimit të drejtë dhe shpërdoruese e neveritshme e hapësirave që demokracia krijon, kjo lloj media e kapur poshtërisht tallet me vetveten dhe mendon se kështu shton tagjinë e saj financiare.
Opinioni publik, i cili ka mundësinë e informimit të saktë nga mediat me integritet në pak sekonda e kupton realitetin e gjërave, por kupton gjithashtu edhe llumin moral dhe antiideor si dhe frikën e pafund të Ramës për një përballje të hapur të alternativave, të ideve dhe të fuqive elektorale dhe organizative mes forcave politike dhe sidomos të liderëve të tyre. Çdo ikje frikacake nga përballja e pashmangshme është baraz me humbje të sigurt.
Sot opozitarët duan përgjigje se cila aferë, dosje apo kasetë filmike a fotografi i bëri shantazh Edi Ramës, që fali ligjin për Prokurorinë dhe bashkoi votat në mënyrë të paturpshme me Berishën, pasi kish deklaruar më parë se nuk do ta votonte kurrë.
Duan përgjigje gjithashtu edhe për bashkimin e fundit të votave me Berishën për komisionin për monitorimin e zgjedhjeve, ku kërkesa e PS-së për ta drejtuar ajo dhe e vetme këtë komision u shfry dhe ajo shiti gjithçka dhe në pesë minuta u katandis të kishte një nënkryetar duke lëpirë gjithçka kishte pështyrë ditë të tëra dhe duke u bërë ortak me PD-në në vend që të ishte kundërshtare e pakompromis ndaj një qeverie që po shkatërron procesin e pajisjes me karta identiteti, që është edhe një standard jetik për zgjedhjet e ardhshme.
Duan përgjigje se si u shantazhua Edi Rama nga Berisha dhe i fali atij Kushtetutën, të cilës Berisha edhe kapakët ia bëri blu për t’i dhënë të kuptojë të gjithë shqiptarëve që përlau falë tradhtisë që Rama i bëri gjakut dhe sakrificat e socialistëve, kushtetutën që ëndërronte.
Duan përgjigje se pse Rama i rrahu shpatullat dhe i qau hallin Berishës dhe nuk mbështeti LSI-në për ngritjen e komisionit hetimor për të zbardhur Gërdecin dhe përgjegjësitë e mëdha sa një mal të Berishës në këtë korrupsion të paparë shtetëror, ndërkohë që sot po ky Ramë bën sikur e qan Gërdecin bashkë me spurdhjakët e tij parapolitikë të degraduar dhe misionarë të shpërdorimit të parave dhe moralit publik.
Këto janë përgjigjet e pashmangshme që Edi Rama duhet t’u japë opozitarëve e socialistëve dhe jo listat e riblerjeve të askushëve imagjinarë pa zë dhe emër dhe me destinacion përdorimin një herë të vetme dhe flakjen e tyre të përbuzshme në koshin e harresës dhe përçmimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›