Protestë e qetë e besimtarëve islamë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka monitoruar faljen e namazit të xhumasë te sheshi afër Komunës së Prishtinës. Në këtë falje tashmë të shndërruar në protestë morën pjesë një numër i konsiderueshëm i besimtarëve islamë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e Xhamisë së Madhe dhe Qendrës Islamike në qendër të qytetit.
"Për dallim të protestës së kaluar ku kishte pasur një eskalim të situatës në mes të besimtarëve myslimanë dhe Policisë së Kosovës, protesta e ditës së sotme ishte mjaft e qetë", thuhet në një komunikatë të KMDLNJ-së.
Organizatorët që janë deklaruar anëtarë të Lëvizjes “Bashkohu“ e kanë mbajtur situatën nën kontroll, prandaj çdo gjë ka përfunduar mirë, sipas këtij këshilli.
KMDLNJ përkrah kërkesën e BIK-së për ndërtimin e një xhamie e cila do t’i përmbushte nevojat e besimtarëve myslimanë, por, në anën tjetër e kundërshton dhe e dënon çdo përpjekje për tensionim të situatës, politizim të kërkesës apo ndarje e ndonjë lokacioni në kompleksin universitar apo aty ku aktualisht ndodhen institucionet parashkollore.