Protestë kundër Metës, arrestohen dy të rinj
Dhjetëra qytetarë të mbledhur për të protesuar para selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në kryeqytet rreth orës 12:30, janë përballur me një gjendje të pazakontë.
Simpatizantë dhe rojet e LSI-së kanë dalë nga lokalet rreth kësaj partie, si dhe nga selia e saj dhe kanë sulmuar grupin e qytetarëve duke i goditur ata me grushte dhe shqelma dhe duke i dhënë këtij sherri përmasa skandaloze, raporton Shekulli Online.
Shkak për këtë grindje të shëmtuar mendohet të jetë bërë sulmi me vezë ndaj selisë së LSI-së nga disa të rinj, pjesë e grupit të protestuesve. Forcat e rendit ndodhen në vendngjarje duke shpërndarë protestuesit, ndërkohë që, sipas gazetarit të "Shekulli"-t në vendngjarje, dy prej te rinjve janë marrë nga policia në furgon dhe ndodhen në Komisariatin numër 2.
Pak minuta me pare policia e kryeqytetit konfirmoi shoqërimin në komisariat të dy të rinjve pjesëmarrës në protestën e sotme përpara godinës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të rinjtë e arrestuar janë E.Xhani, 24 vjeç, me banim në Tiranë dhe E.Brahimllari, 20 vjeç, me banim në Tiranë. Sipas policisë dy të rinjtë do të ndiqen në hetim të lirë, ndërsa akuzohen për "Dhunimit të pronës", "Prishjes së rendit dhe të qetësisë publike" dhe të "Fyerjes".