E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA mbështet Haririn

Nga Express më 13 janar 2011 në ora 19:03

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Saad Haririn dhe fuqishëm e kanë dënuar Hezbollahun, ndërsa Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet të një deklarate, tha se tërheqja e Hezbollahut nga qeveria e Libanit demonstron “frikë”.

Në deklaratë më tutje theksohet se në takimin e tyre, Barack Obama dhe Saad Hariri, kanë shprehur përkushtim për forcimin e sovranitetit dhe pavarësisë së Libanit nga ndikimi i Sirisë dhe Iranit.

Takimi ndërmjet Barack Obamës dhe Saad Haririt në Washington, u bë në periudhën kur Libani mbeti pa qeveri, për shkak të tërheqjes nga kabineti i partisë shiite, Hezbollah dhe aleatëve të saj, për shkak të tendosjeve lidhur me hetimet e Kombeve të Bashkuara për vrasjen e ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Dorëheqja e 11 ministrave, u bë në momentin e spekulimeve se hetimet e OKB-së, së shpejti, mund t’i akuzojnë anëtarët e Hezbollahut lidhur me sulmin me bombë në vitin 2005, nga i cili u vra Rafik Hariri.

Kryeministri aktual i Libanit, Saad Hariri, i biri i të ndjerit Rafik Hariri, gjendej për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›