E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë kundër centraleve bërthamore në Shqipëri

SHKODËR/ Shoqëria civile ka lëshuar parulla kundër vendimeve pro ndërtimit të centraleve bërthamore

SHKODËR - "Jo centraleve bërthamore kudo në Shqipëri" ka qenë apeli i bërë nga shoqëria civile në Shkodër në një protestë paqësore.

Me parulla kundër ndërtimit të centraleve bërthamore në Shkodër dhe Shqipëri, qytetarët e grumbulluar në sheshin e Parrucës kanë ecur drejt nëpër shëtitoren e qytetit, para prefekturës dhe bashkisë. Protestuesve të organizuar iu janë bashkuar dhe qytetarë të ndryshëm, të cilët janë ndodhur rastësisht në këtë rrugë.

Sipas organizatorëve, që janë individë që përfaqësojnë organizata rinore apo dhe nga biznesi, është zgjedhur 26 prilli për të protestuar rreth problemit të mundësisë së ndërtimit të centraleve bërthamore në Shkodër dhe në Shqipëri, pasi kjo datë është e fiksuar në kujtesën e çdo vendi si dita kur ndodhi tragjedia në centralin bërthamor të Çernobilit.

Sipas tyre, kjo protestë nuk ka asnjë motiv politik dhe kërkesa e shoqërisë civile në emër të qytetarëve shkodranë është që qeveria aktuale apo dhe kushdo tjetër që mund të vijë në pushtet, të hartojë e miratojë një ligj ku të ndalohen në mënyrë të prerë ndërtimet e centraleve bërthamore në Shqipëri.

"Duam rreze dielli, jo rrezatim bërthamor", "Shkodrën e ka bekuar Zoti, pse po e mallkoni", "Shkodranë, mos lejoni që Shkodra të kthehet në një Çernobil të dytë", "Shkodra, Jo centralit bërthamor, Jo kancerit në Shqipëri, Jo bombës atomike" kanë qenë disa nga parullat që mbanin në duar protestuesit.

Mentor Bimi, një nga organizatorët e kësaj proteste ka theksuar se "tentojmë të ndërmarrim një nismë kundër ndërtimit të centraleve bërthamore jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Thirrja jonë i drejtohet klasës politike në përgjithësi, që të mos e përdorin Shkodrën dhe centralin bërthamor për pazare politike".

Keti Bazhdari, një tjetër organizatore e kësaj proteste, thekson se thirrja i drejtohet gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike, për të kundërshtuar këto projekte.

Në protestë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të grupimeve nga Kroacia e Mali i Zi, që kanë protestuar me parulla në gjuhën e tyre, si dhe përfaqësues të mediave të këtyre vendeve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›