Hashashi i Lazaratit në Igumenicë me skafistë grekë
DROGA
Prokuroria shpall në kërkim disa persona të dyshuar si pjesëtarë në trafik, ndërsa sipas saj kjo është një linjë e re e zbuluar tashmë
Lënda narkotike, është transportuar nga Lazarati në Sarandë nga një i arrestuar ndërsa skafisti grek mundi të largohej
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, tre ditë pas sekuestrimit të 300 kg hashash dhe arrestimin e "skafistit" shqiptar Elvis Preja, ka mundur të zbardhë linjën e trafikut të drogës Lazarat- Igumenicë të Greqisë.
Për të zbardhur këtë linjë prokurorisë i është dashur të përdorë edhe skafistët grekë të arrestuar nga policia e Sarandës në tentativë për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të hetimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Të njëjtët zëra, konfirmuan për "Shekullin" se me sekuestrimin e 300 kg hashash bashkë me skafin rreth 5 metra të gjatë, me një motor me 250 kuaj fuqi dhe dhe arrestimin e të riut Preja nga Saranda, prokuroria ka zbuluar edhe linjën e ngritur prej kohësh të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë me anë të rrugës detare.
Rrugë kjo që, sipas akuzës, bëhej nga skafistë shqiptarë dhe grekë, ku këta të fundit bashkë me skafin vinin nga shteti fqinj, ngarkoheshin në brigjet shqiptare me hashash dhe ktheheshin në tokën e tyre.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se lënda narkotike e kanabisit e sekuestruar në vendin e njohur si Pema e Thatë në afërsi të Ksamilit vinte nga fshati i Lazaratit.
Ai ishte depozituar nga transportuesit në një shtëpi në periferi të qytetit të Gjirokastrës. Nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës në drejtim të qytetit të Sarandës, mësohet, se droga është transportuar me furgon nga personat.
Ndërkaq në qytetin bregdetar të Sarandës, malli është pritur nga i arrestuari Elvis Preja bashkë me një person tjetër, i njohur si shok të tij. Ky i fundit është shpallur tashmë në kërkim policor nga organet e hetimit.
"Nga Saranda në drejtim të Pemës së Thatë në Ksamil, 300 kg hashash janë transportuar nga i arrestuari Elvis Preja dhe një shok i tij.
Vetëm pak minuta pas shkarkimit të 12 çantave të mbushura me 300 kg hashash në vendin e quajtur Pema e Thatë, është afruar skafi i ardhur nga Greqia i drejtuar nga një shtetas grek.
Mjeti lundrues me një gjatësi prej rreth 5 metra dhe me një motor 250 kuaj fuqi ka ardhur në bregun shqiptar rreth orës 21:00 të mbrëmjes. Në bordin e tij në pak minuta janë ngarkuar çantat që mbanin brenda tij sasinë e konsiderueshme të hashashit, rreth 300 kg,- thanë burime të prokurorisë.
Sipas tyre në kohën që në skaf po hidhej çanta e fundit, që të merrte rrugën e kthimit nga kishte ardhur, aty kanë ardhur efektivët e Policisë së Sarandës dhe të policisë kufitare të cilët ishin informuar se në breg të detit ishte afruar një mjet lundrues i paidentifikuar. Skafisti grek sapo ka dalluar efektivët e policisë që po afroheshin për ta bllokuar, është larguar në mënyrë të rrufeshme.
Ai ka shfrytëzuar errësirën duke u hedhur në det dhe ka mundur t'iu ikë efektivëve të policisë me not. Kërkimet e policisë janë penguar nga errësira dhe greku ende i panjohur ka mundur të largohet.
"I riu shqiptar Elvis Preja është arrestuar nga efektivët e policisë pasi nuk ka pasur mundësi të largohej. Pas arrestimit të tij, policia ka sekuestruar edhe 300 kg hashash dhe skafin që figuronte në emër të një shtetasi grek.
Ky person mendohet se mund të ishte edhe blerësi i hashashit nga Lazarati të sekuestruardy ditë më parë,- thuhet nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjithashtu, këto burime konfirmuan se lënda narkotike do të shkonte në bregdetin e territorit të shtetit grek, në Igumenicë përballë ishullit të Korfuzit.
300 kg marijuanë u sekuestruan nga policia kufitare e Sarandës, destinacioni i së cilës sipas burimeve të Policisë, ishte qyteti grek i Igumenicës. Sasia e lëndës narkotike ishte paketuar në 12 çanta me nga një sasi prej rreth 25 kg secila.
250 kuaj fuqi kishte motori i gomones së sekuestruar nga policia kufitare në jug të vendit dy ditë më parë. Skafi i ardhur nga Igumenica ishte parashikuar të merrte të gjithë sasinë e marijuanës së mbërritur nga Lazarati.
3 persona së paku dyshohet sipas burimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda, të jenë përfshirë në këtë linjë të trafikut të drogës Shqipëri- Greqi. Ndërkaq, sipas burimeve të prokurorisë nuk përjashtohet mundësia e zbulimit të personave të tjerë.
Pagesa
"1 mijë euro për të ngarkuar hashashin"
Mësohet se nga marrja në pyetje e të riut Preja, ky i fundit ka rrëfyer për prokurorinë se për punën që ai do të bënte ishte paguar me 1 mijë euro, si pritës i hashashit nga Gjirokastra, si dhe transportuesin deri tek "Pema e Thatë" e më pas ngarkimin në skaf dhe dërgimin e mallit në Igumenicë të shtetit fqinjë.
Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se skafi i mbushur me 300 kg hashash do të kalonte nga Shqipëria në Greqi pranë pikës së kalimit kufitar të njohur si PSV afër qytezës së Ksamilit.
Ndërkohë, theksohet se policia e qytetit të Sarandës dhe Gjirokastrës me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të firmosur nga prokurori Ardian Nezha, kanë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë, të dyshuar se janë përfshirë në këtë linjë trafiku të drogës nga Lazarati me destinacion qytetin grek të Igumenicës.
Hetuesit nuk pranuan të bëjnë të ditur emrat e personave të shpallur në kërkim prej tyre për shkak të sekretit hetimor të çështjes.
Por sipas tyre, të gjitha veprimet e personave në kërkim dhe të arrestuarit Preja janë dokumentuar në prova shkresore dhe pritet që ata të administrohen në dosjen hetimore, me akuzën e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.