Në timon 17-vjeçari, plagosen gjashtë vetë
AKSIDENTI/ Dy automjete tip "Benz" janë përplasur në lagjen "5 Maji". Dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se nga hetimet paraprake shpejtësia rezultoi si shkak i aksidentit
ELBASAN- Katër të plagosur ka qenë bilanci i një aksidenti të regjistruar në një nga rrugët dytësore të qytetit të Elbasanit, ndërsa dy automjete tip "Benz" u përplasën me njëri-tjetrin.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se njëra nga makinat drejtohej nga një 17-vjeçar dhe ka qenë pikërisht ai që ka ecur me shumë shpejtësi duke shkaktuar përplasjen. Ndërkohë, dërgimi i të plagosurve në spital është bërë nga kalimtarë të rastit, pasi policia ka ardhur me vonesë në vendngjarje.
Aksidenti
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit të së dielës kohë në të cilën, automjeti tip "Benz" me targë EL 3914 B, me drejtues shtetasin Ymer Mimini ka qenë duke lëvizur në një nga rrugët dytësore të lagjes "5 Maji". Në kohën kur ai ka qenë duke u kthyer, automjeti tip "Benz" me targa EL 0881 C, me drejtues 17-vjeçarin Ismail Gjineci është përplasur me të.
Si pasojë, kanë mbetur të lënduar shtetasit Ymer Mimini, 58 vjeç, bashkëshortja e tij 53-vjeçare, Shpresa, dhe dy pasagjerët Enver e Hançe Çepa, nga Lushnja, të afërm të çiftit Mimini. Plagë të lehta ka marrë edhe shoferi 17-vjeçari Ismail Gjineci dhe nëna e tij Shpresa.
Policia
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e automjeteve dhe përkatësisht ajo e drejtuar nga 17-vjeçari Ismail Gjineci.
Ky i fundit është shoqëruar për në komisariat për t'u marrë në pyetje edhe për faktin se në moshën e tij nuk duhet të ishte në timonin e një makine, për shkak se nuk është i pajisur me leje drejtimi.
Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se i vetëdijshëm për këtë fakt drejtuesi-adoleshent ka dashur që t'ia lërë makinën njeriu tjetër, por pa mundur ta realizojë qëllimin. Ndërkohë, mësohet se katër personat që ndodheshin në makinën tjetër janë të gjithë në spital.
Dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ende nuk e kanë kaluar rrezikun. Ndërsa adoleshenti dhe e ëma në aksident morën plagë të lehta.
Vonesa
Në aksidentin e ndodhur, ndihma e parë është dhënë nga kalimtarë të rastit për shkak të vonesës së policisë, e cila mbërriti rreth 20 minuta pas ngjarjes. Dy mjete të rastësishme ndaluan duke bërë edhe transportin e të plagosurve për në spitalin e Elbasanit.
Shkak për vonesën e policisë mësohet të ketë qenë vizita e Kryeministrit në Gjinar çka bëri që policia të përqendrohej në segmentin nga kryqëzimi i Cërrikut në pjesën fundore të qytetit për të garantuar lëvizjen e kreut të qeverisë drejt përurimit të punimeve për një rrugë.