I sëmuret djali, zhduket kryefamiljari
DENONCIMI/ Vilson Meka është shpallur në kërkim nga të afërmit e tij, pasi djali 15-vjeçar i tij u shtrua në spital
DEVOLL - Djali 15-vjeçar konsumon një sasi të madhe alkooli duke u shtruar në spital, ndërsa vetëm pak më pas babai i tij zhduket, duke humbur çdo gjurmë.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën në qytetin e Bilishtit, ndërsa policia ka shpallur në kërkim 51-vjeçarin Vilson Meka për të cilin informacioni i fundit thotë se është parë duke lëvizur drejt qytetit të Korçës.
Ngjarja
Mesditën e së shtunës, një 15-vjeçar është shoqëruar me urgjencë në spital dhe i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes së mjekëve për shkak se ishte në gjendje të dehur.
Teksa adoleshenti ka qenë nën trajtimin e bluzave të bardha, babai i tij, 51-vjeçari Vilson Meka, banor i qytetit të Bilishtit në rrethin e Devollit, i ka lënë çelësat e kasafortës djalit të tij të vogël, vetëm 11 vjeç, duke i kërkuar që të bëhej djalë i mbarë dhe duke i thënë që të lajmëronte të tjerët që të mos e kërkonin.
Më pas ai ka hipur në automjetin e vet, tip "Pezho" ngjyrë gri me targa DV 2703 A dhe është larguar pa asnjë adresë rreth orës 17:00 të po së njëjtës ditë.
Denoncimi
Pasi të afërmit e 51-vjeçarit janë njoftuar për atë çka kryefamiljari i kishte njoftuar djalit të tij të vogël, i janë drejtuar menjëherë policisë duke bërë denoncimin për zhdukjen e tij.
Para uniformave blu ata kanë deklaruar se Vilson Meka nuk ka pasur asnjë problem të mëparshëm familjar dhe se veprimin e tij mund ta justifikonin vetëm me tronditjen për shkak të shtrimit në spital të djalit të tij të madh.
Të marrë në pyetje lidhur me probleme të brendshme, familjarët kanë mohuar gjithçka. Burime të policisë bëjnë të ditur se 51-vjeçari ishte mirë nga gjendja ekonomike dhe se ai merrej me administrimin e pronave të familjes së vet.
Pas marrjes së denoncimit, uniformat blu kanë nisur kërkimin e tij në Devoll, si dhe në Korçë. Në fakt, Meka është parë të udhëtonte në drejtim të Korçës, megjithatë, edhe 24 orë pas shpalljes së tij në kërkim dhe organizimit të policisë, ende nuk ka asnjë konfirmimin për gjetjen e tij.