E Diel, 1 Nëntor 2026

U humbin fëmijët, i gjejnë ushtarë

REKRUTIMI/ Policia Ushtarake ka mbledhur gjatë një jave rreth 350 të rinj që nuk kishin bërë ushtrinë

Në repartin e Bunavisë sërish janë mbledhur prindër që shpresojnë të takojnë fëmijët e zhdukur prej ditësh


VLORË - Kanë bekuar ditën e shtunë, pasi kanë mundur të mësojnë më në fund se ku ishin djemtë e tyre të zhdukur prej ditësh.

Fundjava ka qenë edhe mundësia e të rinjve për të lajmëruar të afërmit e tyre se, teksa ishin nisur për punë të tjera, ishin ngarkuar nga Policia Ushtarake, e cila i kishte drejtuar për në repartin e Bunavisë pa i lejuar që t'iu thonë familjarëve se ku ndodheshin.

Rekrutët e rinj që vijnë në brigadën e stërvitjes bazë në Bunavi, edhe këtë herë kanë risjellë pamjet e tri muajve më parë, por edhe shqetësimet e përcjella nga të afërm të tyre.

Në brigadën e stërvitjes bazë nuk ka asnjë reagim zyrtar, por jashtë saj mësohet se prej disa ditësh Policia Ushtarake në bashkëpunim me policinë e rendit pasi kanë konkluduar dhe me degët ushtarake të rekrutëve në disa qytete të Shqipërisë, kanë ndërmarrë një aksion të gjerë për të mbushur radhët me ushtarë në sezonin e grumbullimit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mësohet se të rinjtë janë nga të gjitha qytetet e vendit.


Të afërm dhe prindër të rekrutëve të rinj pohojnë se u kanë marrë fëmijët pa u bërë me dije një adresë të tyre. Ka prej tyre që pohojnë se kanë disa ditë që nuk i shohin fëmijët e tyre dhe këtu është edhe më e vështirë kjo.

Një nënë nga Tirana shprehet e shqetësuar për të ardhmen e djalit të vet, pasi sipas saj ai në këtë periudhë kishte një tjetër impenjim, për të cilin kishte investuar jo pak. "Jo vetëm kaq, por kam katër ditë pa e parë djalin.

E morën pa pasur asnjë dijeni. Kam dy ditë këtu që dua ta takoj dhe ende nuk më është dhënë kjo mundësi". Një tjetër prind flet i indinjuar për mënyrën si i kanë marrë të birin. "Pa asnjë lajmërim, kjo është e pafalshme.

Flitet se ushtria jonë do të ketë ndryshime, flitet se kemi hyrë në NATO. Nuk besoj se këto janë standardet që kërkon NATO.

Edhe në kohën e Turqisë, nuk veprohej kështu", thotë ai. "Kërkojmë të ketë sqarime referuar këtyre mënyrave primitive me të cilën vijohen të merren ushtarët, - shprehet një tjetër prind.


Ditët e fundit, pranë repartit, me marrjen e ushtarëve të rinj, janë shtuar dhe radhët e prindërve që gjenden përballë portës hyrëse të repartit ushtarak.

Të ndryshme kanë qenë reagimet e familjarëve ku ka pasur prej tyre që janë ankuar hapur e kanë akuzuar se ushtarakët kanë vepruar forcërisht e pa dijeni, ndërkohë që fare pak prindër të tjerë kanë pranuar se është një detyrim që duhet kryer dhe kushtet të paktën në këtë repart janë normale. Stërvitja në brigadën e stërvitjes bazë në Bunavi zgjat 9 javë.

Pas kësaj ushtarët shpërndahen drejt reparteve të tjera në vend. Një situatë e tillë pranë repartit të Bunavisë u krijua edhe në muajin janar, ku shumë prindër akuzuan ushtarakët se po vepronin në mënyra primitive, akuza këto që u hodhën poshtë nga drejtues të kësaj baze.

Aktualisht në këtë repart ndodhen 1200 ushtarë, në një kohë që 350 i janë shtuar vetëm përgjatë kësaj jave.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›