Përmbyset një automjet në bulevard, pa viktima
Katër karambole të rënda janë regjistruar mëngjesin e djeshëm nga policia, ndërsa në total vetëm të shtunën kanë qenë 12
TIRANE- Incidentet të frikshme fundjavën e fundit në kryeqytet. Katër të tillë kanë ndodhur gjatë orëve të vona të ditës së shtunë duke u gdhirë dita e diel në kryeqytet. Për fat të mirë, pasojat e tyre kanë qenë vetëm materiale ndërsa nuk ka pasur dëmtime në njerëz si të vrarë apo të plagosur.
Incidentet dhe karambolet rrugore në akset e qytetit të Tiranës janë regjistruar gjatë orëve të para, duke qenë se jeta e natës në kryeqytet zgjat shumë gjatë fundjavës.
Sipas burimeve të policisë, karambolet kanë ardhur për shkak të konsumimit të pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë lënë lokalet e natës në orët e para të mëngjesit.
Gjithashtu sipas burimeve të policisë rrugore, shkak gjithashtu është klasifikuar edhe ecja me shpejtësi tej normave të lejuara apo e humbjes së vëmëndjes në drejtimin e mjeteve.
Ndërkaq, më i rëndi ndër të gjithë incidentet e mëngjesit të djeshëm është ai i ndodhur në qendër të kryeqytetit, orë në të cilën jo vetëm njerëzit por edhe policët e turnit të trafikut, nuk duket se ndihen shumë të pranishëm. Ngjarja ndodhi kur dy mjete u goditën, duke shkaktuar dëme serioze materiale por pa viktima.
Fillimisht një automjet "Mercedez- Benz", me targa të Beratit, u përplas me një automjet fuoristradë të markës "KIA" me targa të Tiranës. Përplasja e mjeteve sipas mediave vizive, krijoi një skenë spektakolare mbi urën kryesore në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në kryeqytet.
Për shkak të përplasjes së dy mjeteve, fuoristrada e markës "KIA", me targa të Tiranës, u përmbys. Personave që ndodheshin në mjete, iu afrua menjëherë ndihma e shpejtë, por asnjë prej tyre nuk kishte dëmtime ndërsa sipas policisë më tepër ata dukeshin të terrorizuar.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ndërsa pasi u kuptua se nuk kishte të dëmtuar, nisi veprimet rutinë për të zbardhur shkaqet e incidenteve. Sipas burimeve të policisë, nga hetimi i aksidentit, ai kishte ndodhur nga shpejtësia tej normave të mundshme të dy automjeteve, si dhe mos respektimi i sinjalistikës rrugore.
Ndërkaq, gjatë ditës së shtunë, policia ka regjistruar së paku 10 karambole në trafikun e kryeqytet, edhe pse gjatë fundjavës shërbimet e policisë në akset e kryeqytetit përforcohen nga ato të linjave, ku vihet re një rënie e aksidenteve apo karamboleve.
Kërcënoi "ambasadat" shkon në gjyq i pandehur
TIRANË- Sorollatjet e njëpasnjëshme në dyert e përfaqësive diplomatike të huaja të akredituara në Tiranë për të marrë një vizë dhe për të emigruar legalisht në vendet perëndimore ka vënë nën akuzë një 38-vjeçar, i cili ka kërcënuar disa ambasada nëpërmjet telefonit.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për shtetasin Enea Nauni, i cili akuzohet për "përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike" dhe dosjen e tij ia ka përcjellë gjykatës.
Kjo e fundit ka regjistruar në datën 23 prill dosjen me numër çështje 1183 me të pandehur Enea Naunin nën akuzën e "përdorim me keqdashje të përdorimit të thirrjeve telefonike". Gjykata ka hedhur edhe shortin përkatës për dosjen në fjalë dhe gjyqtari Fehmi Petku do të drejtojë seancat gjyqësore.
Sipas dispozitave ligjore, veprimi i përsëritur mund t'i kushtojë 38-vjeçarit një vit heqje lirie. Prokuroria ka të dhëna sa Nauni ka të tjerë precedentë penale me këto episode të përsëritura.