E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë masive për përmbytjet



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Pas miratimit të listës nga ana e qeverisë për dëmshpërblimin e të përmbyturve në Shkodër kanë reaguar fermerët e fushës së Maliqit. Ata kërkojnë të ngrihet një grup pune për evidentimin e dëmeve e më pas të marrin dëmshpërblimet, ashtu sikurse u veprua me përmbytjen e zonës së Nënshkodrës. Banorë të fshatrave nga komunat e Libonikut, Vreshtasit e Pirgur, bllokuan rrugën nacionale Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Sovjan. Që nga koha kur janë përmbytur më shumë se 2500 ha tokë të fushës së Maliqit, deputetë të zonës si nga pozita edhe opozita kanë parë gjendjen e rënduar në vend. Por deri më tani nuk ka një llogaritje të dëmeve dhe masa konkrete që fermerët të dëmshpërblehen. Dje dhjetëra mjete u bllokuan për të lëvizur në të dy anët e rrugës, pasi fermerët janë shtrirë edhe përtokë. Me kërkesën për ngritjen e një komisioni që të vlerësojë dëmet ata paralajmëruan përshkallëzim të protestës. "Duam që shteti të vijë dhe të shikojë gjendjen e rëndë të krijuar në tokat tona sepse na është sosur durimi. Kërkojmë nga qeveria të ngrihet një komision për verifikimin e dëmeve dhe caktimin e dëmshpërblimit për çdo fermer të prekur nga përmbytjet. Askush nuk interesohet për dëmet që na janë bërë. Qeveria duhet të kthejë kokën edhe nga ne, njëlloj siç bëri me zonën e Shkodrës. Atje banorët po dëmshpërblehen edhe pse uji iu ka ikur nga tokat, ndërkohë që ne vazhdojmë të jemi të përmbytur", u shprehën fermerët protestues. Disa prej tyre u shtrinë në rrugë për të bllokuar lëvizjen e mjeteve, por në këto moment ndërhyri policia për shpërndarjen e tyre. Policia e konsideroi këtë protestë si të paligjshme për faktin se nuk ishte marrë leje nga kryepleqtë e fshatrave për zhvillimin e saj. Kjo ndërhyrje e policisë solli edhe një përplasje të shkurtër me protestuesit. Vetëm pas gjysmë ore, fermerët liruan rrugën për lëvizjen e mjeteve të shumta të bllokuara, por sipas tyre protesta do të përshkallëzohet më tej në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre për dëmshpërblim nga qeveria. Ata u shprehën se për këtë vit të mbjellat e tyre kanë shkuar dëm.

Banorët indiferentë ndaj listave
Qytetarët e Shkodrës e kanë pritur të qetë vendimin e qeverisë për dëmshpërblimet. Ndryshe nga sa pritej, dje pranë Këshillit të Qarkut, e cila ka bërë edhe hartimin e këtyre listave janë paraqitur pak banorë për të pyetur në lidhje me to, shumën që ata do të përfitojnë nga dëmshpërblimet si dhe kohën se kur do të marrin paratë. Ndërkohë, interesin më të madh e kanë paraqitur disa biznese, të cilat janë edhe më të prekura dhe të dëmtuara nga përmbytjet në Shkodër. "Për biznese të tilla do të ketë edhe një fazë të mëvonshme pasi duhet bërë një koordinim tjetër me Ministrinë e Bujqësisë për të përcaktuar vlerën e dëmit", u shpreh sekretari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Besnik Kastrati. Ndërsa për mënyrën e shpërndarjes së parave ai u shpreh se vendimi i qeverisë do të shoqërohet me një procedurë tjetër, me nxjerrjen e një udhëzimi me marrëveshjen e Ministrive të Financës dhe asaj të Brendshme. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›