E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikt me armë për pronësinë e ish-kinema "Partizani" në Tiranë



TIRANE - Një konflikt i vjetër pronësie, i shoqëruar vazhdimisht me debate mes dy palëve që pretendojnë se janë pronarë të 4 dyqaneve tek "Ushtari i panjohur" në Tiranë, dje shkaktoi kërcënime dhe të shtëna armësh. Policia e Tiranës konfirmoi se sherri për katër dyqane në katin e parë të pallatit fare pranë qendrës së kryeqytetit, ka kohë që ka nisur mes dy familjeve tiranase. Ndërkohë dje rreth orës 17:50, tre persona kanë nxjerrë armën dhe kanë qëlluar në ajër, duke krijuar një situatë alarmi për kalimtarët dhe policinë. Burime nga policia thanë se është qëlluar tre herë në ajër me armë zjarri tip pistoletë, por nga konflikti nuk ka asnjë person të lënduar. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të policisë nga Komisariati nr.1 dhe Drejtoria e Policisë, duke rrethuar zonën dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas kësaj, në polici janë shoqëruar tre persona, përfaqësues të dy familjeve, roja i katër dyqaneve në vendin e të cilave dikur gjendej ish-kinema Partizani, si dhe avokati i njërës prej palëve të përfshira në këtë konflikt. Policia deklaroi se fillimisht u lajmërua se pati edhe një person të plagosur, duke qenë se u pa i shtrirë, por vetëm pak minuta më pas policia sqaroi se kalimtari i rastit ishte shtrirë për t'i shpëtuar plumbave që i fluturonin mbi kokë. Avokati i një prej familjeve, ka shpjeguar në polici presionet që po i bënin persona të armatosur nga familja tjetër për t'i marrë pronën. Policia nuk bëri publikë emrat e personave që janë përfshirë në konfliktin e djeshëm, për të shmangur vazhdimin e këtij sherri, nga persona të tjerë, të afërm të të dy palëve. Drejtoria e Tiranës tha se janë shoqëruar për të dhënë deklarime edhe persona të tjerë, që kanë qenë dëshmitarë të kërcënimeve dhe të shtënave me armë, si dhe janë marrë në pyetje pronarët e disa dyqaneve, ngjitur me 4 dyqanet për të cilat ka nisur sherri, që aktualisht janë duke u rikonstruktuar. Mësohet se roja, i cili ka qëlluar në ajër me armë, është arrestuar me akuzën e "prishjes së rendit dhe qetësisë publike", ndërsa personat e tjerë do të procedohen penalisht në gjendje të lirë, me akuzën e "kanosjes". Grupi hetimor sqaroi se mbrëmë gjatë gjithë natës janë marrë në pyetje familjarë dhe dëshmitarë, nga të dyja palët e përfshira në konflikt, të cilët kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjen dhe konfliktin mes dy familjeve. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›