E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë me dy qingja të ngordhur para komunës, kërkon dëmshpërblim

 SHKODER - Ngordhja e bagëtive nga mungesa e ushqimit dhe mospërfshirja e tyre në listën e dëmshpërblimit nga ana e komisionit të vlerësimit e ka detyruar një banor të Bërdicës që të qëndrojë me orë të tëra para komunës. Me dy qingja në dorë, Ndoc Lushi ka protestuar, duke akuzuar anëtarët e komisionit. Sipas tij, ata nuk i kanë përfshirë 19 kafshët e ngordhura në listën e dëmeve shkaktuar banorëve, pasi pasojat janë shfaqur pasi uji është larguar dhe se nuk ka lidhje me përmbytjet. "Ky vendim i komisionit ka të bëjë me faktin se unë jam njohur si person me bindje të majta politika", u shpreh dje Lushi. Ai kur ka parë se nuk kishte mundësi futja e kafshëve në listën e dëmeve të banorëve në zonat e përmbytura, i ka marrë dy qingjat e ngordhur duke reaguar para komunës. "Para përmbytjeve kam pasur rreth 200 krerë dele dhe qingja. Gjatë fillimit të muajit janar, ambientet që kisha përshtatur për fermë u përmbytën për disa ditë, duke më sjellë dëme të mëdha. Shpresa e vetme për të qarë hallin ishte komisioni i dëmeve, por mbeta i zhgënjyer nga përgjigjja e tyre. Bagëtitë që po ngordhin nuk kanë lidhje me përmbytjet. "Unë jam i gatshëm që të pres çdo lloj komisioni apo veterineri që të shqyrtojë gjendjen e deleve dhe të qingjave. Specialistët të japin argumentet e tyre shkencore", shton Ndoc Lushi. Ai thotë se 15 qingja dhe 4 dele i kanë ngordhur ditët e fundit, duke e quajtur si shkak gjendjen në të cilën bagëtia qëndroi ditët e përmbytjes masive. Po dje, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, zhvilloi një takim me drejtues të njësive vendore dhe përfaqësues të grupeve të verifikimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja për të analizuar javën e parë të punës. Në këtë takim zv.ministri u ka kërëkuar ekspertëve që të jenë të kujdesshëm dhe sa më të ndershëm në punën e tyre, për të mos rënë pre e mashtrimeve apo pretendimeve të pabaza të banorëve të papërgjegjshëm. "Ne nuk duam që t'i hamë hakun askujt dhe të mos favorizojmë pa të drejtë asnjë person që nuk e meriton", tha Poni gjatë takimit. Sipas të dhënave të fundit të shtabit të post-emergjencës mësohet se akoma janë rreth 200 hektarë nën ujë në Qarkun e Shkodrës. Ndërkohë që vazhdojnë të jenë të evakuuar rreth 254 persona dhe se nën ujë ndodhen vetëm 3 shtëpi. Kurse 78 banesa të tjera ndodhen të rrethuara nga uji.                                                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›