Vrasësja e nënës: Mos më dënoni përjetë
POGRADEC - Gjykata e Pogradecit vendosi të lërë në burg 28- vjeçaren e cila vrau nënën e saj me plumb në zemër. Anila Angjo u akuzua për vrasje me paramendim, ngjarje e cila ndodhi katër ditë më parë në banesën e saj. Asnjë i afërm nga familja Angjo nuk ka treguar interesim për zhvillimin e kësaj mase sigurie që u zhvillua paraditen e djeshme. Burime nga gjykata bënë të ditur se 28-vjeçarja ka kërkuar mëshirë për krimin e kryer prej saj. "Nuk dua të dënohem me burgim të përjetshëm, sepse kur të jem e lirë mund t'i shërbej akoma babait tim që më adoptoi", mësohet se është shprehur Anila Angjo. E akuzuara për vrasje është paraqitur në seancën e djeshme në një gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak se gjatë tre ditëve të izolimit në qeli, ka refuzuar marrjen e ushqimit. Ajo u arrestua në banesën e saj menjëherë pas krimit të kryer. Policia e Pogradecit bëri të ditur pas ngjarjes se 28-vjeçarja ishte mjaft problematike në qytet. Ajo ishte shoqëruar disa herë në polici si e dyshuar për grabitje të ndryshme, ndërsa njihej edhe si përdoruese e pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike. g.a