Protestë në Librazhd Qendër, banorët fajësojnë mbetjet
Banorët e fshatit Librazhd-Qendër kanë protestuar të enjten pas vdekjes së dy vajzave nga kjo zonë, gjatë 10 ditëve të fundit. Ndonëse u hodhën dyshimet se shkak mund të ishte një gjendje gripale, banorët thonë se një nga shkaqet e kësaj gjendje mund të jetë edhe vendgrumbullimi dhe djegia e mbetjeve urbane të Librazhdit pranë këtij fshati. Ata janë shprehur të frikësuar, sidomos pas rastit të djeshëm ku motër e vëlla u shtruan në urgjencën e Librazhdit me pothuajse të njëjtat simptoma.
Kryetari i komunës Enver Shkurti ka mbështetur shqetësimin e banorëve, ndërsa ka pohuar se bashkia e Librazhdit nuk disponon as leje mjedisore e as leje ndërtimi të domosdosshme për vendgrumbullimin e mbetjeve urbane.
Nga ana tjetër, të kundërtën tregon kryetari i bashkisë së Librazhdit, Shefki Çota. Ai thotë se bashkia zotëron një leje ndërtimi dhe një leje mjedisore dhe për më tepër ka një marrëveshje të nënshkruar disa vite më parë me komunën.
Pavarësisht përplasjeve mes komunës dhe bashkisë së Librazhit, banorët e komunës janë shprehur të vendosur të vazhdojnë edhe përshkallezimin e protestës deri sa të gjendet zgjidhja që ata kërkojnë. Ata kanë vendosur edhe blloqe të mëdha betoni në hyrje të rrugës që të çon për në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane për të mos lejuar kalimin e mjeteve transportuese.