Policia shqiptare mobilizohet për zgjedhjet e 23 qershorit

Teksa ka filluar numërimi mbrapsht për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, Policia shqiptare ka marrë masa për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe ambasadave të akredituara në Shqipëri. Drejtori i përgjithshëm ka nxjerrë një urdhër të posaçëm, ku duke nisur që sot në orën 14:00 dhe deri në datën 25 qershor, objektet e rëndësishme shtetërore dhe ambasadat do merren në mbrojtje nga efektivat komando dhe forcat e ushtrisë. Urdhri i firmosur nga Hysni Burgaj urdhëron strukturat e policisë të marrin masa për dorëzimin e këtyre objekteve brenda kësaj ore.
Ndërkohë, forcat e policisë do angazhohen në ruajtjen e qendrave të votimit dhe vendnumërimit të votave. Siç sqarohet në urdhrin e Burgaj, për zgjedhjet e 23 qershorit janë shtuar me afro 700 numri i objekteve zgjedhore, krahasuar me zgjedhjet lokale të majit 2011, çka kërkon angazhimin e mbi 1 000 punonjësve të policisë, transmeton BW
Drejtuesit e strukturave vendore te policisë janë porositur te mbajnë kontakte të vazhdueshme e të bashkëpunojnë me efektivët e forcave të armatosura, që do të sigurojnë këto objekte. Urdhri i Burgajt pasoi një takim të zhvilluar mesditën e kësaj të enjte mes përfaqësuesve të policisë, Ministrisë së Mbrojtjes, shefave të sigurisë së ambasadave dhe trupit diplomatik. Në total, shuma e objekteve të rëndësishme shtetërore dhe të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri arrin në 100./Indeksonline/