Protestojnë gardianët e Dubravës

(Updated) Për dy orë rresht, gardianët e burgut të Dubravës protestuan me kërkesë për përmirësimin e kushteve të tyre të punës. Kësaj proteste, e cila zgjati prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 10, iu bashkëngjitën edhe gardianët e burgut të Pejës.
Pas dy orësh, protestuesit u larguan të qetë me ultimatimun e dhënë Ministrisë së Drejtësisë se nëse deri të mërkurën nuk do të bëhet një zgjidhje lidhur me këto kërkesa, protesta të tilla do të mbahen në Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj tha se ky marsh në qendër të Prishtinës është planifikuar të mbahet të premten e kësaj jave.
“Do të presim zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë që të vijnë tek ne të mërkurën për të negociuar kërkesat tona. Afati i është dhënë deri në orën 12 të së mërkurës, nëse vetëm një minutë më tej vonohen, atëherë nuk do t’i pranojmë në bisedime. Më pas do të organizohemi të protestojmë të premten në Prishtinë”, tha Sadikaj për Express.
Ai shtoi se deri më tani askush nga MD-ja nuk ka dëgjuar ankesat e gardianëve.
Ndërkohë, edhe Sindikata e Shërbimit Korrektues në Prishtinë e përkrah protestën e Oficerëve Korrektues nga Burgu i Dubravës.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për shikimin e pozitës tejet të vështirë të stafit që punojnë nëpër burgje dhe realizimin e kërkesave tona”, tha të hënën kryetari i kësaj Sindikate, Xhevat Ademi.
Kërkesat e punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës janë për rritje të koeficientit të rrogës dy shkallë, pagesën e ndërrimit të natës, heqjen e shpenzimeve të rrugës, përmirësim të kushteve të punës dhe rritje rrogash.
Rrethi i dytë i protestave
Jeton Musliu
Duan ligj për ta, rritje të koeficienti për dy shkallë, pagesën e ndërrimit të natës, heqjen e shpenzimeve të rrugës, përmirësim të kushteve të punës dhe rritje rrogash.
Këto janë disa nga kërkesat e të punësuarve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, nga të cilët varet i tërë sistemi i funksionimit në burgjet e Kosovës.
Por nëse për protestën e policëve mezi u gjet një zgjidhje, oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk do të heqin dorë aq lehtë.
Kështu së paku thonë drejtuesit e sindikatës së tyre. Ata këtë e arsyetojnë me faktin se kërkesat që kanë, janë minimale dhe jo sikurse ato të policëve që deshën rritje page njëqind për qind.
Zenun Sadikaj, kryetari i sindikatës së punëtorëve të këtij shërbimi, sqaron për Express se për muaj të tërë kanë provuar që këtë problem ta zgjidhin me bisedime.
Nëse shkresave të tyre, zyrtarë të lartë të këtij shërbimi, sikurse Resmi Hoxha, Komisar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, nuk iu është përgjigjur, ata kanë pasur takime direkt me të.
“Në shtator kemi kontaktuar me Resmi Hoxhën, i cili na ka thënë se ligji do të bëhet, e tash erdhi viti tjetër, e askund”, thotë Sadikaj.
Duke kujtuar se ato çfarë Resmi Hoxha u ka thënë më parë, e fjalët e tij nuk kanë rezultuar të vërteta, kryesindikalisti i oficerëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës thotë se ka pak mundësi që ai të dijë diçka se kur do të përmirësohet gjendja e tyre.
“Jo pse ne nuk i besojmë atij, por as vetë Hoxha nuk e di se kur do të miratohet ligji për ne”, thotë Sadikaj, i cili kujton fjalët e Resmi Hoxhës, të cilat në njëfarë mënyre duket se kishin qenë alarm, që së paku tash për tash nuk do të ketë zgjidhje për ta.
“Kur kemi pasur së fundi kontakt në nivel të sindikatës me Resmi Hoxhën, ai ka thënë se ‘tash e tutje nuk jam në gjendje të them saktë se kur do të dalë ligji. Mua ashtu më kanë thënë, e nuk ka dalë, e tash e mas a del në mars a qershor, unë nuk e di”, citon Sadikaj fjalët e Resmi Hoxhës, shefit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Por Resmi Hoxha, deri diku ka një shpjegim tjetër për tërë këtë situatë. Sipas tij, është e drejtë e këtyre punëtorëve të protestojnë. “Mundësitë institucionale janë këto që janë. Ne kemi bërë maksimumin që t’ua rrisim të ardhurat personale të tyre gjatë vitit të kaluar. Nuk janë të mjaftueshme këto rritje ndoshta, por mundësitë për rritje tjetër nuk ka”, thotë Hoxha për Express, duke tërhequr vërejtjen se ligji e saktëson se kush mund të protestojë e kush tjetër jo.
“Meqë ne aty mbajmë persona të privuar nga liria dhe të dënuar dhe ata varen nga puna e stafit, atëherë dihet se kush mund të protestojë”, sqaron Hoxha, duke aluduar te të punësuarit që në ditën e hënë në mëngjes janë në orar të punës.
“Shpresoj se do të protestojnë vetëm ata që janë të lirë dhe nuk janë në detyrë, kurse ata që janë në punë, do të kryejnë detyrën e tyre në përputhje me ligjin, sepse ata që janë brenda varen nga ta”, thotë Resmi Hoxha.
Duket se në këtë pikë të gjithë pajtohen, edhe sindikata, edhe drejtuesit e këtij shërbimi. Kjo për faktin se Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, sqaron se në këtë protestë do të marrin pjesë të gjithë ata që nuk janë në orar të punës. “Nuk jam në gjendje të tregoj për numrin e atyre që do të marrin pjesë, por të gjithë ata që nuk janë në ndërrim të punës besoj se do të na bashkëngjiten nga ora 8, kur do të fillojë protesta”, thotë Sadikaj, pa qenë në gjendje të sqarojë se sa mund të zgjasë protesta e tyre, meqë ende Këshilli iniciues i protestës nuk ka marrë një vendim të prerë.
Ndërkohë, Resmi Hoxha, shef i këtij shërbimi, beson se këtë vit, me aprovimin e Ligjit të ekzekutimeve të aksioneve penale, i cili ka kaluar në Qeveri dhe në lexim të parë në Parlament, do të miratohet. “Pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, ky ligj përcakton për secilin si, kur dhe sa duhet paguar dhe shpresoj që në këtë mënyrë do të rritet edhe pozita materiale e tyre”, shpjegon Hoxha, sipas të cilit në këtë sektor janë të punësuar rreth 1 mijë e 650 persona.
Por Zenun Sadikaj, nga sindikata e këtij shërbimi, thotë se ligjin për të cilin flet Hoxha nuk e kanë parë me sy.
“Nëse e ka parë Resmi Hoxha, askush nga ne nuk e ka parë atë ligj që të dimë se çfarë thuhet në të. Me kë është konsultuar, ndoshta me ekspertë e të tjerët, por ne nuk dimë asgjë, apo nëse jemi të kënaqur apo jo me atë ligj”, thotë kryesidikalisti i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, i cili vetë është agronom me profesion, por punon si oficer korrektues në Burgun e Dubravës.
Ky burg është institucion korrektues, i cili për nga madhësia dhe numri i të burgosurve, radhitet i treti dhe i pesti në Evropë.
Fakte
Koeficienti i pagesës së të punësuarve në Shërbimin Korrektues të Kosovës është 5. Ata kanë pagën bazë, e cila është 165 euro. Më parë, plus kësaj page, ata kanë marrë 52 euro për shkallën e rrezikshmërisë dhe përveç kësaj, e kanë ushqimin, i cili llogaritet të kushtojë 52 euro e 50 centë për person brenda muaji.
Por vitin e kaluar, pagës së e tyre bazë prej 165 eurosh, u janë shtuar për rrezikshmëri nga 52 euro, në 107 euro dhe ushqimi prej 52 euro e 50 cent, që në fund llogaritet se rroga e tyre është 324 euro e 50 centë. Kjo në fakt është paga më e ulët e të punësuarve në këtë shërbim, kurse ajo më e larta është e komisarit të këtij shërbimi, që është 570 euro në muaj. Nga 324.5 euro e deri në 570 euro, pagat janë të ndryshme, varësisht nga hierarkia dhe pozitat. I tërë ky shërbim numëron 1 mijë e 650 të punësuar.
Vetëvendosja përkrah protestat
Lëvizja Vetëvendosje mbështet protestat e paralajmëruara të punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, atyre të gjykatave dhe prokurorive, Sindikatës së Administratës publike, si dhe atë të Administratës tatimore, të cilët kërkojnë rritje të pagave dhe kushte më të mira të punës. Sipas një komunikate për media, kjo lëvizje vlerëson se këto protesta paraqesin një zgjim të shërbyesve civilë dhe punëtorëve të Kosovës, duke hedhur poshtë pohimet e Qeverisë se rritja e pagave është e pamundshme. Vetëvendosja ka reaguar edhe për kërkesat e rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës për policinë dhe punonjësit shëndetësorë, duke thënë se kërkesat e tyre janë minimale në krahasim me nevojat Kosovës. Prej disa ditësh, një zinxhir i gjatë protestash po ndodh në Kosovë, nga shërbyes të institucioneve vendore, të cilat kërkojnë kushte më të mira pune dhe kompensimi, për detyrën që bëjnë.