E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati me C4, i plagosuri merret në pyetje nga policia

PS:
Plagosja e këshilltarit në Vlorë, provë e krizës së rëndë politike

Vlorë, 7 Shkurt NOA Morand Hoxha i cili
mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme si pasojë e një atentati me tritol, gjendet
jashtë rrezikut për jetën, bëjnë të ditur burime spitalore për korrespondentin
e agjencisë NOA.

Mësohet se 38-vjeçari Morand Hoxha ka dalë nga
faza kritike pasi mjekët kanë bërë të mundur të shmangin rrezikun e
precipitimit të dëmtimeve në organet jetësore të këshilltarit socialist në
Këshillin Bashkiak të qytetit Vlorë.

Pasditen e sotme, Hoxha është marrë në pyetje
në dhomën e spitalit në reanimacion, nga një grup ekspertësh të policisë dhe në
prani të prokurorit, duke iu kërkuar të japë të dhëna mbi atentatin me
eksploziv plastik C4 në të cilin u përfshi mbrëmë në qendër të qytetit të
Vlorës.

Morand Hoxha ka komunikuar drejtpërdrejt edhe
me drejtorin e Policisë së Qarkut Vlorë, Ylli Metko, por mësohet se ai ka qenë
i pakët në deklarimet e tij.

I plagosuri ka thënë se pak mbante mend nga
ngjarja dhe këmbënguli se nuk di të ketë hasmëri apo përplasje me ndokënd që do
të çonin në një atentat të tillë.

Sakaq dhe policia pohon se ka prova të pakta
lidhur me ngjarjen pasi megjithë kërkimet e bëra dhe gjatë ditës së sotme, nuk
ka arritur të mbledhë prova të vlefshme për të identifikuar autorin apo
autorët. Policia tha se dyshon shumë se bëhet fjalë për një atentat i cili
erdhi nga një sasi eksplozivi plastik C4 i telekomanduar në distancë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në orën
21.20 në afërsi të Kalit të Trojës, pranë shkollës 9-vjeçare Ismail Qemali
në lagjen Isa Boletini e cila gjendet në qendër të qytetit të Vlorës.

Morand Hoxha sapo ishte duke dalë nga makina e
tij, një Benz me ngjyrë të bardhë tip 2400 me targa të Vlorës, kur makina u
hodh në erë dhe sikundër shihni në foto, ajo u shkatërrua plotësisht.

Nga shpërthimi, Morand Hoxha 38 vjeçar (në
foto), mori dëmtime të shumta në trup dhe në kokë dhe në gjendje kritike për
jetën u dërgua në spital, ku mjekët thanë sot se situata është ende kritike për
shkak të plagëve serioze që ka marrë nga shpërthimi i eksplozivit plastik.

Morand Hoxha, që nga muaji mars i vitit 2009 u
largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe, në detyrën e anëtarit të Këshillit
Bashkiak Vlorë, kaloi me Partinë Socialiste.

Burimet policore i thanë agjencisë NOA se
38-vjeçari Morand Hoxha, më datën 15 prill të viti të kaluar, ishte ndaluar në
drejtorinë rajonale policore, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Më tej ai u la i lirë pasi u vendos masa e
sigurisë detyrim paraqitjeje.

Policia thotë se ka disa pista hetimi por deri
në zbardhjen e disa hetimeve që po kryhen, nuk dëshiron të bëjë publike asnjë
prej tyre.

a.d/r.b/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›