E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB fillon hetimet për zbuluar rolin e dyfishtë të agjentit

27/04/2010 Operacioni “Vora”, policia përdori 35 mijë euro për blerjen e simuluar të 100 kg drogë

TIRANE- Gjatë zhvillimit të operacionit “Vora” policia e Tiranës ka përdorur 35 mijë euro, për të kryer blerjen e simuluar të një sasi prej rreth 100 kg lëndë narkotike të llojit hashash. Mësohet se shuma financiare mbahej nga agjenti i infiltruar dhe sipas planit operacional, ishte programuar që paratë të dorëzoheshin gjatë momentit të shkëmbimit të sasisë së lëndës narkotike në zonën e Vorës. Hetimet kanë treguar se lënda narkotike ishte parashikuar që të blihej me 350 euro kilogrami dhe më pas do shpërndahej në kryeqytet. Sipas burimeve policore, gjithçka ishte përpiluar në detaje, por ka mjaftuar një informacion nga një agjent i komisariatit të Fushë-Krujës, që pesë poseduesit e drogës të ndryshonin vendin e shkëmbimit nga Vora në fshatin Thumanë të Krujës. Aktualisht Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka filluar hetimet për të zbardhur rolin e agjentit të komisariatit të Fushë-Krujës, i cili dyshohet se ka luajtur rol të dyfishtë gjatë operacionit të koduar “Vora”. Burimet nuk pranuan të bëjnë publik emrin e tij, por thanë se në qoftë se do konstatohet implikimi i tij me pesë personat e arrestuar, atëherë ndaj tij do merren masa administrative dhe penale. Gjatë vënies në zbatim të operacionit “Vora” në prangat e policisë ranë shtetasit Gëzim Pirra, 28 vjeç, i dënuar më parë për “tentativë vrasje” dhe Leonard Zhana, 31 vjeç, që të dy lindur e banues në Mans të Durrësit; Shkëlqim Kuqi, 34 vjeç, Kujtim Lloti, 40 vjeç dhe Kujtim Kuqi, 37 vjeç, që të tre lindur e banues në fshatin Mafsheq të Krujës. Vendimet e arrestimit u ekzekutuan nga efektivët e repartit RENEA, pasi për autoritetet policore personat e sipërcituar konsideroheshin si tepër të rrezikshëm. Gjatë zhvillimit të operacionit agjentët e antidrogës sekuestruan në cilësinë materiale 100 kg lëndë narkotike dhe një Fuoristradë tip Nissan më targë LA 9344 A.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›