Një "lumë" me parà për Kristiano Ronaldon
Një "mitraloz" për Fergusonin. Në luftën kundër Ramon Kalderon, tekniku i Mançester Junajted është i pari që kërkon të përdorë armët. "Kur ata të Realit të Madridit do të rikthehen me sulmet e tyre në janar, ne do të përdorim mitralozin Gatling". Aleks Ferguson është i sigurt se Reali i Madridit do ta kërkojë sërish me ngulm Kristiano Ronaldon, pavarësisht nga dorëzimi zyrtar i presidentit madrilen.
MUNICIONET - "Kur jemi ankuar te FIFA, na janë përgjigjur se nuk kishte prova të mjaftueshme, - proteston Sër Alkes, - por këtë herë kemi municion të mjaftueshëm. Në janar kemi bërë gati mitralozin Gatling," - ka shtuar skocezi. Gjashtë tyta rrotulluese, një armë zjarri me fuqi shkatërruese, si ajo e Kristiano Ronaldos. Me dygolëshin vendimtar në ndeshjen kundër Hullit, të përfunduar me shifrat 4-3, pas atij kundër Uest Hemit, portugezi është rikthyer në nivelet mbresëlënëse të sezonit të kaluar 2007-'08, sezoni i 42 golave (31 në Premier, 8 në Champions). 6 gola në 6 ndeshje si titullar të luajtura deri tani, pas rikuperimit nga operacioni në kavilje, zhvilluar më 7 korrik.
JURITE - "Dua të rifitoj Champions Ligën me Mançesterin, si dhe dua ta bëj më mirë se sezonin e kaluar," - këmbëngul Ronaldo. Golat e tij i kanë çuar "djajtë e kuq" në vendin e tretë, pesë pikë larg (me një ndeshje më pak) Çelsit dhe Liverpulit. Dhe shërbejnë për t'ua rifreskuar memorien jurive që do të përcaktojnë fituesin e "Topit të Artë" dhe të "Lojtarit më të mirë të vitit për FIFA"-n. Por Ferguson e di mirë se kërcënimet ndaj Kalderonit nuk mjaftojnë për t'i dhënë fund historisë së dashurisë midis Ronaldos dhe Madridit, që duket se do të ketë fund të lumtur, nëse tekniku i Mançesterit nuk merr masa për këtë. Dhe idetë nuk mungojnë. "Nuk ka dyshime që vera e ardhshme do të jetë vendimtare për situatën e Ronaldos. Do t'i mbeten dhe tri vite nga kontrata aktuale me ne, ndoshta është momenti për ta riparë këtë," - ka thënë Ferguson.
REKORD - Ja kush është çelësi. Ferguson është i bindur se paratë janë gjithçka, në këtë rast, dhe i ka kërkuar administratorit të deleguar të Junajted, Devid Gil, t'ia shkëpusë OK-in familjes Glejzer për një ofertë rekord për Ronaldon: 7,3 milionë euro në vit, 2 më shumë se tani, që do ta çonte në të njëjtin nivel me Robinjon te Mançester Siti, më i paguari i Premier Ligës. Ferguson kërkon ta mbyllë marrëveshjen brenda majit. "Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, më 2010-n Ronaldo mund t'i prishë dy vitet e fundit të kontartës, në bazë të rregullores së FIFA-s për lojtarët që janë më pak se 28 vjeç," - ka thënë trajneri. Nga sa mësohet, për ta prishur marrëveshjen, falë "Ligjit Uebster", lojtari duhet të paguajë 36 milionë euro, një vogëlsi për Realin që ishte gati të paguante 100 milionë. "Deri tani, - tregon Ferguson, - të gjitha klubet e mëdha kanë refuzuar ta shfrytëzojnë këtë rregull. Nuk besoj se do të ndodhë me Ronaldon." Por Gatling është gati të hapë zjarr.