E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestuesit mbushin sheshet në Egjiptit: “Ik Mubarak”

Më shumë se një milion persona janë mbledhur në Sheshin Tahrir, duke e kthyer kryeqytetin e Egjiptit në një “det” njerëzish që kërkojnë rrëzimin e Hosni Mubarakut, në pushtet prej më se tre dekadash.

Të vendosur sup më sup, në dhe përreth Sheshit Tahrir, masa e njerëzve po mbajnë sot një protestë paqësore duke denoncuar Presidentin, dhe duke i bërë thirrje me sloganet “Ik Mubarak, Ik” dhe “Largohu, Largohu, Largohu”, raporton Al-Xhazira.

Masa të ngjashme njerëzish për rrëzimin e Mubarakut janë mbledhur edhe në qytetet e tjera si Sinai, Aleksandria, Suez, Mansoura, Damnhour, Arish, Tanta, El-Mahalla dhe El-Kubra.

“Pjesë e turmës janë të rinjtë, pleqtë, fetarët, burrat, gratë dhe po rritet minutë pas minute”, thekson korrespondenti i Al-xhazirës nga Sheshi Tahrir.

Organizatorët bënë thirrje për një marshim prej një milion personash, por pjesëmarrja theu të gjitha parashikimet. Ushtarët e vendosur në zonë, nuk bënë asgjë për të ndaluar turmat për të hyrë në shesh.
Mubaraku bëri të tjera ndryshime në qeveri të hënën (pasi riformatoi qeverinë të shtunën), në përpjekje për të ndalur vrullin e protestuesve, por asgjë se ka ndalur vrullin e tyre, të cilët po shprehin dufin e mbledhur prej 30 vitesh me udhëheqësin e tyre.

Said El Sisi, 23-vjeç, ka udhëtuar së bashku me të atin dhe xhaxhanë për dy orë në pesë autobusë të ndryshëm për të ardhur në protestë, që prej fshatit të tyre jashtë Kajros.

“Dua të shikoj ndryshime në vendin tim”, thotë El Sisi për CNN, “dua të shikoj një President në Egjipt çdo tetë vite si në të gjitha vendet e tjera…ky është vetëm vendi i njerëzve të pasur. Jam diplomuar në universitet dhe flas katër gjuhë por nuk mund të gjej një punë si pasojë e nepotizmit dhe korrupsionit. Për çdo gjë duhet të paguani para”.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-02-01 17:34
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›