E Diel, 1 Nëntor 2026

Protokolli i heq fjalën Topit, Presidenti: Pse nuk shkova në Lezhë

Prapaskenat e ceremonisë në Lezhë. Protokolli njoftoi Topin 1 orë para se të nisej.

Topi: Akt përjashtues dhe sjellje e padenjë zyrtare.

Besëlidhja e Lezhës, vendi ku 568 vjet më parë u bë bashkimi i shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënde-rbeut, nuk rezultoi i tillë dje për klasën politike. Konflikti mes maxhorancës dhe Presidentit Topi u reflektua në ceremoninë e zhvilluar për nder të kësaj feste. Gjithçka erdhi pasi protokolli i shtetit ndryshoi, sipas Presidencës, në minutën e fundit, organizimin e ceremonisë, ku kreut të shtetit iu hoq fjala e parashikuar për ta mbajtur para qytetarëve lezhjanë. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, deklaroi se Presidenti nuk e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet.
Ceremonia
Rreth tri javë më parë, Bashkia e Lezhës shpërndau një ftesë për ceremoninë që do të mbahej dje në këtë qytet. Ftesa mbërriti edhe në zyrën e kreut të shtetit. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se ftesa erdhi zyrtarisht edhe nga Protokolli i Shtetit, institucioni që merret me organizimin e ceremonive në rastet kur në to marrin pjesë drejtuesit e vendit. Në axhendë ishte parashikuar në detaje gjithçka që do të ndodhte gjatë ditës së djeshme, që nga pritja e personaliteteve në hollin qendror të Bashkisë, deri te koncerti që do të zhvillohej së bashku dhe me emrat e artistëve. Aty ishte përcaktuar se pas fjalës së kryetarit të Bashkisë së Lezhës do të përshëndeste Presidenti Topi. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar, më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë, thuhet në sqarimin e Presidencës. Por, gjithçka ndryshoi dje në mëngjes. Rreth 60 minuta përpara se të fillonte ceremonia dhe teksa kreu i shtetit po nisej për në Lezhë, ku ishte planifikuar të mbante një fjalim pas fjalës së kryetarit të Bashkisë, drejtori i Protokollit të Shtetit, Ermal Dredha, ka kontaktuar me shefin e kabinetit të Presidentit, Dashamir Xhaxhiu, ku e ka vënë në dijeni për ndryshimin e axhendës. Aty thuhej se pasi të përfundojë fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Lezhës do të ftojë të mbajë një fjalë Kryeministrin Berisha. Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit, Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni. Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni, thuhet më tej në sqarimin e Presidencës. Në këto kushte, kreu i shtetit zgjodhi që mesazhin që do ta lexonte në Lezhë, ta lexonte para mediave në zyrën e tij në Presidencë.

Teksti i ftesës
Në ftesën e bërë nga kryetari i Bashkisë së Lezhës thuhet: Në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më datë 2 mars 2012, Bashkia Lezhë organizon një veprimtari jubilare me rastin e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, ku heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, organizoi kuvendin historik për bashkimin e princave shqiptarë në besëlidhjen kundër pushtimit osman. Kam nderin dhe kënaqësinë tju ftojmë në këtë veprimtari jubilare, si një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

Viktor Tusha: Topi do mbante fjalim në ceremoni
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, reagoi dje pas deklaratave të Presidencës, se kreu i shtetit nuk u bë pjesë e ceremonisë për shkak se iu hoq e drejta e fjalës. Tusha e quajti të pakuptueshëm mungesën e kreut të shtetit në 568-vjetorin e bashkimit të shqiptarëve në Lezhë. Presidenti nuk e konfirmoi pjesëmarrjen në këtë ceremoni. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e Presidentit sepse në protokoll ishte shënuar se ai do të mbante fjalën. Sipas Tushës, 568 vjet më parë Skënderbeu bashkoi princat e mbarë vendit në një kuvend, kurse sot klasa politike nuk gjen kurajë të bashkohet për një ditë të vetme.

Fjalimi i Presidentit para mediave
Simbolika e Besëlidhjes të frymëzojë politikën

Presidenti Topi dje para mediave

Në fjalimin e mbajtur nga Presidenca, kreu i shtetit u shpreh se Besëlidhja e Lezhës ishte dita kur princat shqiptarë lanë mënjanë dasitë e tyre politike dhe u bashkuan duke hedhur themelet e shtetit të ri europian shqiptar. Sipas tij, 2 marsi mbetet dita simbol e bashkimit, dita kur burrat e mençur e të fortë lanë mënjanë dasitë e vogla dhe vendosën të bëjnë bashkimin politik të shqiptarëve. Ata hodhën themelet e shtetit të ri europian të shqiptarëve dhe me këtë akt iu kundërvunë njërës prej perandorive pushtuese më të mëdha që ka njohur historia europiane. Me një ndërgjegje të lartë atdhetare, me vizionin e qartë për identitetin dhe kombin shqiptar, me aftësinë politike për tu bashkuar në një flamur dhe atdhe, prijësit shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ia dolën të themelojnë Besëlidhjen Shqiptare dhe bashkë me të shtetin e ri shqiptar. Presidenti tha se edhe sot të gjithë duhet të shohin përpara, për një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjes së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri, si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij, theksoi më tej kreu i shtetit.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›