E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PD tallet me të përndjekurit

Kreu i PS, Edi Rama

PS organizon tryezën e programit për ish-të përndjekurit: Do ti japim fund abuzimit 21-vjeçar.

Në 1991 i kërkova Ramiz Alisë lirimin e të burgosurve politikë

Kreu socialist, Edi Rama, akuzoi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha, për abuzime me ish-të përndjekurit politikë në 20 vite demokraci. Në tryezën e Grupit të Punës për të Përndjekurit, në vazhdim të tryezave për programin e ri Për një Rilindje Shqiptare, Rama tha se PS do ti japë fund hipokrizisë dhe abuzimit 21-vjeçar, duke u dhënë medoemos ato që meritojnë. Kjo plagë mbetet e hapur, pasi asnjëherë nuk ka pasur një vullnet politik për ta mbyllur dhe më keq akoma, sepse lotët e krokodilit të derdhura për ish-të përndjekurit dhe fjalët lumë në drejtim të tyre kane qenë një tallje cinike. Jemi këtu sot pasi kemi marrë angazhimin tonë në kuadër të programit të Rilindjes Shqiptare, për ti dhënë fund hipokrizisë dhe abuzimit 21-vjeçar të të përndjekurve politikë, u shpreh Rama. Kryesocialisti nënvizoi se tryeza përbën edhe thyerjen publike të një akulli të mbetur gjatë mes PS-së dhe atyre që vuajtën nën lëkurë barbarinë e regjimit komunist. Sipas Ramës, kjo tryezë është një mundësi e mirë për tu ulur bashkërisht me ish-të përndjekurit me qëllim që të diskutohen piketat e së ardhmes. Për kreun socialist, vlerësimi i kësaj kategorie sociale ka qenë kërkesë e vazhdueshme që në 1991, kur nisën ndryshimet demokratike. Nga ana ime do të jem tërë jetën krenar përpara çdo njeriu që ishte në burg politik në fillimvitin 1991, sepse isha ndër nismëtarët e pakët të një peticioni për lirimin e gjithë të burgosurve politikë drejtuar Presidentit komunist Ramiz Alia. Ai peticion jo vetëm u refuzua të botohej nga shtypi i sapolindur opozitar, por u bë shkak që udhëheqësi i atëhershëm dhe i gjithhershëm i Partisë së sapoformuar Demokratike të më akuzonte se kërkoja bashkë me ca të tjerë të nxirrja nga burgu llumin e shoqërisë, të burgosurit politikë! Kështu i quante Sali Berisha të përndjekurit nga maja e Partisë së sapoformuar Demokratike, ndërsa unë do të jem krenar edhe për këtë tërë jetën time, u shpreh Rama. Sipas tij, vëmendja e PS ndaj ish-të përndjekurve nuk është ofertë për votën e tyre. Ne nuk ju kërkojmë medoemos votën për tju dhënë atë që meritoni, po do tju japim medoemos atë që meritoni, pavarësisht nëse do të na e jepni ose jo votën. Sepse ne besojmë te drejtësia shoqërore, te liria, barazia e vëllazërimi në një Shqipëri të mirë me të gjithë shqiptarët, u shpreh Rama në tryezën e djeshme.

Programi i PS për ish-të përndjekurit
. Skema jonë e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim progresiv, në varësi të viteve të dënimit.

. Dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit mbi moshën 75 vjeç do të kryhet brenda një viti.
Politikat tona publike dhe sociale do të respektojnë statusin e ish-të përndjekurit.

. Të gjitha shërbimet për ish-të përndjekurit do të përballohen nga shteti.

. Ne do të ngremë një institucion europian të kujtesës historike që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshme për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist.

Diskutimet ne tryezen e PS
Mëhill Gjinaj, ish-i përndjekur:
Jemi ngopur me premtimet e lugës së floririt. Të na trajtojnë si qytetarë të barabartë, kaq duam.
Mark Bazhdari, ish-i burgosur në Burgun e Burrelit: Aspirata jonë ka qenë ndërtimi i shtetit ligjor demokratik. Këto 21 vjet nuk pamë tentativa për ndërtimin e një shteti të tillë. U ndërtua një shtet. U ndërtua shteti i rrumpallës. Me këtë të përndjekurit politikë smund të pajtohen. Ne duhet të jemi në vijë të parë me të gjithë ata që duan të ndërtojnë shtetin e së drejtës, demokratik e europian.
Naim Manjani, ish-i përndjekur: Ju paraqitët një kandidaturë shumë të nderuar dhe të respektuar në zgjedhjet e 8 majit dhe unë e njerëzit tanë e mbështetëm fuqimisht atë brenda koalicionit që kishim. Por, kur erdhi momenti i numërimit të votave tona për këshilltarë, ato u morën me dorën e majtë dhe kur ne e denoncuam, filluan të qeshnin duke thënë se dihet ajo punë, kështu janë këto punë, se ne kemi njeriun tonë në Këshillin Bashkiak dhe smund të rrezikojmë me një njeri që nuk e dimë se sa do na iki apo do na rri në rresht. Nga pikëpamja filozofike, këtu qëndron parimi i besueshmërisë.
Keti Bazhdari: Të flas unë për arsyen pse ne jemi mbledhur këtu sot?
Naim Manjani: Unë nuk po dal nga linja, po flas për momente që duhet të forcojnë besueshmërinë në bashkëpunim.
Edi Rama: Jo mo, kjo nuk është punë linje…
Naim Manjani: Ju nuk keni interes të njiheni me mendimet tona dhe me shqetësimet tona zoti Edi. Me bisedat që ne kemi bërë në Vlorë, të gjithë ish-të persekutuarit nuk janë hiç të kënaqur me marrëdhëniet e deritanishme. Ajo që ne kërkojmë është se ju duhet ta merrni seriozisht marrëdhënien me ne.
Fatmir Lamaj, ish-i përndjekur: Sot, Berisha e Topalli dalin më të persekutuar dhe pse në fakt ata kanë qenë të përkëdhelurit e regjimit komunist. Një çështje që pothuajse deri tani ka degraduar në një formë të tillë kur ne të persekutuarve na vjen turp të quhemi të persekutuar. Sepse, më i persekutuar sot del Sali Berisha, sekretari i Partisë, që ka ushtruar persekutimin ndaj nesh. Më e persekutuar del Jozefina Topalli. Kur djemtë e Shqipërisë vriteshin në kufi, Jozefina shkonte jashtë shtetit e dërguar nga Ramiz Alia për specializim. Më i persekutuar del Bujar Nishani, na merrte atë bustin e shokut Enver dhe e mbronte nga ne. Na kanë mbajtur peng për 20 vjet.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›