Berisha: Skënderbeu, vizionar i vokacionit tonë perëndimor

Dje gjate festimeve per 568-vjetorin e kuvendit te Lezhes
Fjalimi i Berishës për Kuvendin e Lezhës.
Nderimi më i madh, trevat ku jetojnë shqiptarët të bëhen vende të zhvilluara
Princat shqiptarë lidhën besën në Lezhë për tu udhëhequr nga prijësi i tyre, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor.
Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për 568-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës. Sipas tij, shqiptarët kanë te Skënderbeu doktrinën e vokacionit të tyre perëndimor. Skënderbeu është, pra, shenjtori i lirisë, i trimërisë, i guximit të shqiptarëve, frymëzimi i tyre i përjetshëm për të sakrifikuar për dinjitetin e tyre. Por, Skënderbeu është gjithashtu, vizionari i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar. Këtu, në këtë qytet, shqiptarët lidhën besën të udhëhiqeshin nga prijësi i tyre legjendar për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, vlerat perëndimore të kombit, djepin në të cilin kishin lindur. Sipas kreut të qeverisë, sot, në këtë ditë, nderimi më i madh që ne mund tu bëjmë fisnikëve shqiptarë që u mblodhën 568 vjet më parë, nderimi më i madh që mund ti bëjmë prijësit tonë legjendar, Skënderbe, është të ndjekim me vendosmëri vizionin e tyre, vokacionin kombëtar perëndimor, të bëjmë gjithçka për të vendosur kombin në BE, të bëjmë gjithçka për të bërë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët, në treva dhe vende të zhvilluara. Duke u ndalur te besëlidhja e 568 viteve më parë, Kryeministri u shpreh se me atë akt princat shqiptarë vendosën të përballen për lirinë dhe dinjitetin e trojeve tona me superfuqinë më të madhe të kohës. Ne, nderojmë sot, në këtë qytet, shpirtin e bashkimit kombëtar. 568 vjet më parë, në këtë qytet, në këtë djep, lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, parimi i bashkimit të tyre, parimi i shenjtë, Një komb, një qëndrim. Shqiptarët u bashkuan në Lidhjen e Lezhës, qëndruan dhe shkruan kapitullin më të ndritur të së gjithë historisë së tyre kombëtare, theksoi më tej kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, shqiptarët kanë te Skënderbeu burimin e përjetshëm të frymëzimit të tyre, të trimërisë së tyre, të guximit të tyre. Burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë më të madhe të kohës, që kishte përkulur shtete dhe perandori, ka frymëzuar dhe frymëzon përjetë shqiptarët të sakrifikojnë, të qëndrojmë për liritë dhe çështjen e tyre. Se i frymëzoi Skënderbeu, ata u mblodhën dhe luftuan në Lidhjen e Prizrenit, se i dha zemër Skënderbeu, organizuan kryengritjet më të mëdha të Europës që sollën pavarësinë e Shqipërisë, se u frymëzuan nga Skënderbeu dhe trimëria e tij, luftuan me heroizëm në Luftën e Dytë Botërore dhe renditën vendin në koalicionin fitimtar.
Homazhe te varri i Skënderbeut
Aktiviteti me rastin e 2 marsit, Besëlidhjes së Lezhës së vitit 1444, është zhvendosur në vendvarrimin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ku janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule, ndërsa në këtë ditë është nderuar me kurora edhe monumenti kushtuar poetit të shquar lezhjan, Gjergj Fishta, për të përmbyllur festimet me koncertin e zhvilluar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Lezhës.
Berisha në Pallatin e Kulturës pa drita
Para nisjes së koncertit festiv në Pallatin e Kulturës në Lezhë, hyrja e Kryeministrit Sali Berisha në sallë, ku dhe ishin të pranishmit, është shoqëruar me një incident. Kjo pasi i janë fikur dritat menjëherë, duke zhytur në errësirë të plotë për shtatë minuta të gjithë pallatin. Situata e krijuar nuk ka qenë aspak normale, ndërsa është shtuar vigjilenca nga ana e Gardës dhe shoqëruesve të tij, deri në momentin që kanë ardhur sërish dritat.
Ceremonia, në Lezhë mungojnë Thaçi dhe Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaha dhe Kryeministri Hashim Thaçi, nuk kanë qenë të pranishëm dje në ceremoninë e zhvilluar në Lezhë, ndonëse ishin pjesë e saj. Nga Kosova kanë qenë nënkryetarët i Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Hajredin Kuçi. Ndërkohë që nga Maqedonia, të pranishëm kanë qenë përfaqësues të partive shqiptare, Menduh Thaçi e Sulejman Ymeraj. Të pranishëm kanë qenë gjithashtu edhe anëtarë të qeverisë dhe kryebashkiaku Basha.
PDIU: Mesazhi i Lezhës, partitë të punojnë së bashku

Shpëtim Idrizi
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka deklaruar dje se mesazhi i Besëlidhjes së Lezhës duhet të merret seriozisht sot nga politikanët shqiptarë. Forcat politike në Shqipëri duhet të marrin sot mesazhin e kësaj dite dhe të punojnë së bashku, larg interesave meskine personale, për të arritur qëllimin e përbashkët të integrimit europian. Shenja e parë e dhënë dje në Kuvend, me miratimin e Kodit Penal, sot më shumë se kurrë, duhet të kthehet në një standard të sjelljes sonë politike, dhe jo një përjashtim nga rregulli, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas PDIU-së, Besëlidhja, gjithashtu, përbën një moment të veçantë, kur fisnikë me interesa të ndryshme, shpeshherë në konflikt me njëri-tjetrin, gjetën gjuhën e përbashkët, në emër të interesit të tyre të përbashkët.
Spahiu: Berisha erdhi në Lezhë sepse do vinim ne
Aleanca Kuq e zi ka zhvilluar tubimin e saj pas largimit të Kryeministrit Sali Berisha nga Lezha. Mitingu i Aleancës Kuq e Zi, edhe pse ka qenë i paligjshëm, sipas Policisë, nuk ka krijuar incidente. Ndërsa kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu, gjatë tubimit me anëtarë të tij është shprehur se: A ka qenë Kryeministri Sali Berisha në ndonjë përvjetor të heroit kombëtarë gjatë këtyre viteve në Lezhë? Jo dhe vetëm jo. Ai ka ardhur sot pasi ka mësuar faktin se përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi do të ishin në Lezhë për të përkujtuar këtë datë historike të njeriut që bashkoi shqiptarët. Lidhur me tubimin e AK, drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, është shprehur se tubimi i AK ka qenë i paligjshëm, pasi ne nuk i kemi aprovuar lejen, duke ia argumentuar një gjë të tillë. Ndërsa policia ka mbikëqyrur pjesëtarët që merrnin pjesë në këtë tubim për të shmangur incidentet dhe gjithçka ka shkuar normalisht.
ROLAND NIKOLLI
