E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle, vizitë në Tiranë: Partitë të ulin retorikën

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle

Ambasadorët Sekui e Volfarth përshëndesin miratimin e Kodit Penal.

Retorika sju ndihmon që të përparoni në procesin e reformave

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, deklaroi dje se do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri në muajin mars. Fyle ka përshëndetur miratimin me konsensus të Kodit Penal dy ditë më parë në Kuvend. Në fakt po. Pata një diskutim shumë të mirë me ministrin e Jashtëm shqiptar, dhe ajo që diskutuam ishte se, pas rrugëdaljes nëntorin e kaluar, sa e rëndësishme është që tani të prodhohet një masë kritike progresi, ju e dini, për 12 kriteret, për reformën zgjedhore, në mënyrë që Komisioni, në kuadër të progresit të raportit, të mund të bëjë një rekomandim pozitiv ndaj Këshillit Europian, ka deklaruar Fyle. Komisioneri i Zgjerimit ftoi, ndërkaq, klasën politike që të ulë tonet dhe të shmangë retorikën politike, duke e përqendruar vëmendjen te reforma. Kjo është diçka që e kam diskutuar me ministrin e Jashtëm, diçka që e kemi diskutuar me Kryeministrin dhe diçka që definitivisht do ta diskutoj edhe me liderët e opozitës. Pra, ju lutem, uleni retorikën. Dakord? Retorika, apo retorika politike, nuk ju ndihmon që të përparoni në procesin e reformave gjithëpërfshirëse. Përqendrohuni në pjesën pozitive të progresit të Shqipërisë. Kjo është ajo që presin vendet anëtare, ka theksuar Fyle.
Ambasadorët
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Etore Sekui dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, kanë deklaruar dje se votimi i Kodit Penal me 126 vota pro është një sinjal inkurajues që vjen nga klasa politike për përmbushjen e 12 prioriteteve. Për diplomatët e akredituar në Tiranë, gjuha e dialogut duhet të vazhdojë dhe për miratimin e kërkesave të tjera, çka do të reflektohen në Raportin e Progresit për këtë vit. Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore është një sinjal inkurajues në trajtimin e çështjeve që janë pjesë e axhendës europiane të vendit. Kam besim se çështje të tjera po kaq të rëndësishme të axhendës europiane dhe të prioriteteve kyçe të opinionit do të trajtohen në të njëjtën frymë, deklaroi ambasadori Sekui.

Përpjekjet e Trojkës
Tre ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë kanë qenë mjaft aktivë gjatë diskutimeve në ditët e fundit të kodeve dhe ligjeve me 3/5-tat në Kuvend. Ambasadori i SHBA-ve, Arvizu, ambasadori i prezencës së OSBE-së, Eugen Volfarth dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, takuan pak ditë më parë kreun e opozitës, Ramën, sapo u dhanë sinjalet e para nga selia rozë se po dështojnë si reforma zgjedhore, ashtu dhe ajo parlamentare. Duket se ka qenë presioni i tyre që bëri të mundur edhe votimin e Kodit Penal nga ana e opozitës në momentet e fundit në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›